jeta

Romët në Shqipëri, midis jetesës së vështirë dhe mungesës së përkujdesjes ndaj tyre

Edhe pse ata jetojnë në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë, pjesëtarët e komunitetit rom vazhdojnë të përballen me disa problematika, që lidhen kryesisht me arsimin e tyre, strehimin, punësimin, pjesëmarrjen në institucionet publike

Malik Hasa  | 08.04.2016 - Përdıtësım : 09.04.2016
Romët në Shqipëri, midis jetesës së vështirë dhe mungesës së përkujdesjes ndaj tyre

Tiranë

TIRANË (AA) – Edhe pse ata jetojnë edhe në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë, qytet ky i cili njihet për jetesën e shtrenjtë në rajon, pjesëtarët e komunitetit rom vazhdojnë të përballen me disa problematika, që lidhen kryesisht me arsimin e tyre, strehimin, punësimin, pjesëmarrjen në institucionet publike, etj, shkruan Anadolu Agency (AA).

Kryeqyteti i Shqipërisë pas rrëzimit të komunizmit pësoi ndryshime rrënjësore, edhe sa i përket popullsisë dhe në mesin e kësaj popullsie të rritur përfshihet edhe komuniteti rom dhe ai egjiptian që në të shumtën e rasteve jetojnë në kushte shumë të vështira. Edhe pse nuk ka shifra të sakta për popullsinë e këtij komuniteti, vlerësimet e organizatave të ndryshme tregojnë që popullsia rome varion nga 80.000 – 120.000.

Familja Rroku e ardhur nga fshatrat e qytetit të Pogradecit është vendosur në një nga lagjet e Tiranës, "Ali Demi". Edhe pse mes pallateve të larta, ku apartamentet shiten shtrenjtë dhe ofrojnë një jetesë të mirë, ata jetojnë në barakat e ngritura prej plasmani, ku krevatet janë të shtruara në tokë, pas asnjë lloj higjiene dhe ku minjtë dhe i ftohti janë miqtë e vetëm të natës.

Kreyfamiljari, Tomorr Rroku, për AA shprehet se në të njëjtin vend ngjitur me çadrën e tij jeton babai dhe pak më tej jeton vëllai i tij bashkë me familjen.

Duke pohuar se vendi ku ata jetojnë nuk është i përshtatshëm as edhe për kafshët, Rroku tregon se: "Jetojmë në gjendje shumë të vështirë. Mbledhim mbeturina plastike për të nxjerrë bukën e gojës. Nuk kemi asnjë mundësi strehimi. Shteti të na ndihmojë për këtë situatë ku gjendemi".

Kryefamiljari thotë gjithashtu se ata nuk kanë asnjë lloj mundësie, madje as për shkollimin e fëmijëve të tyre.

Ndërsa bashkëshortja e tij, Alma Rroku thekson për gazetarin e AA-së se kushtet ku ajo rrit fëmijët janë të mjerueshme. "Jetojmë keq. Kam tre fëmijë. Barakja na rrjedh nga lart dhe uji futet edhe poshtë krevatit. Fëmijët janë pa shkollë, pa dokumente, pa asnjë gjë"- tregon ajo.

Brisilda Taça

Brisilda Taça, një aktiviste e këtij komuniteti thotë për AA se problematikat e komunitetit rom janë të shumta, por ato më imediatet mund të përmenden si, strehimi, shëndetësia, arsimimi dhe punësimi.

"Ne si aktivistë të komunitetit rom dhe egjiptianë jemi munduar të ngremë problematikat e këtyre komuniteteve ndaj institucioneve përkatëse" thotë Taça në fjalën e saj. Ajo thekson se edhe pse ka anëtarë të këtij komuniteti të cilët mundohen të aktivizohen dhe të integrohen ata hasin në vështirësi të shumta.

"Ajo që ne kemi kërkuar është përfshirja e të rinjve rom në administratën publike’’ thotë Taça dhe më pas duke vënë në dukje rëndësinë e pranisë së këtij komuniteti edhe në politikën e vendit ajo shton se në këtë mënyrë zëri i tyre do të dëgjohet më mirë, por pohon se ata si komunitet duke shikuar edhe vitet e kaluara janë pesimistë për të ardhmen e tyre.

- "Nuk mund të ketë qetësi dhe mirëqenie të një shoqërie kur një komponent i rëndësishëm i saj është në rrisk"

Igli Totozani

Të drejtat e këtij komuniteti i cili përbën një problem të madh për shoqërinë nuk mbrohen vetëm nga aktivistë të vetë komunitetit, por edhe nga institucionet vendase dhe ato ndërkombëtare të cilët merren me mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Institucioni i Avokatit të Popullit është një nga këto institucione që vazhdimisht bën apel dhe kontribuon për koordinimin me institucionet e tjera në mënyrë që zëri i tyre të dëgjohet dhe problematikat e tyre të gjejnë një zgjidhje.

Avokati i Popullit të Shqipërisë, Igli Totozani në një deklaratë për gazetarin e AA u shpreh se problematikat e komunitetit rom janë pafund. Duke treguar për disa raste të shkeljeve të të drejtave të tyre Totozani në fjalën e tij vë në dukje çështjet e strehimit, ndihmës ekonomike, regjistrimin dhe problematikat që lidhen me arsimin dhe punësimin.

Totozani tregon se institucioni që ai drejton ka ngritur dhe dresuar shumë problematika të këtij komuniteti me rekomandime për secilin problem të tyre.

"Ky është një grup me rrisk. Dhe një grup me rrisk duhet trajtuar me kujdes dhe me shumë vëmendje. Ky grup duhet të trajtohet përsa i përket kritereve që parashikon sistemi social shqiptarë për të përfituar të mirat modeste të tij"- shprehet kreu i institucionet që kujdeset për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në Shqipëri.

Duke pohuar se nuk është bërë sa duhet edhe pse ka pasur premtime të shumta Totozani shprehet: "Unë shpresoj që drejtuesit dhe shoqëria shqiptare të kuptojnë që nuk mund të ketë qetësi dhe mirëqenie të një shoqërie kur një komponent i rëndësishëm i saj është në rrisk’’.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın