Sport, jeta

Nigeri, sportistët me aftësi të kufizuara i drejtohen futbollit me "skateboard" për rehabilitim dhe shpresë

Futbolli me "skateboard" synon të promovojë rehabilitimin fizik dhe përfshirjen sociale, duke ofruar si rekreacion, ashtu edhe një ndjenjë komuniteti.

Ajdin Aliji  | 02.08.2025 - Përdıtësım : 03.08.2025
Nigeri, sportistët me aftësi të kufizuara i drejtohen futbollit me "skateboard" për rehabilitim dhe shpresë Foto: Zulyadain Bello/AA

Shkup

Në shtetin Kano të Nigerisë veriore, individët me aftësi të kufizuara fizike po gjejnë shpresë përmes futbollit me "skateboard", një adaptim lokal i sportit që promovon rehabilitimin fizik dhe përfshirjen sociale, raporton Anadolu.

I luajtur në dërrasa druri, të ngjashme me "skateboard", sporti u lejon njerëzve me aftësi të kufizuara të gjymtyrëve të poshtme të marrin pjesë aktive në aktivitetin sportiv, duke ofruar si rekreacion, ashtu edhe një ndjenjë komuniteti.

I njohur në nivel lokal si "futboll me skateboard", loja është shfaqur si një simbol i qëndrueshmërisë në një vend, ku afërsisht 25 milionë njerëz jetojnë me aftësi të kufizuara dhe programet sociale janë të kufizuara.

Ekipi u themelua në vitin 1991 nga trajneri i hendbollit, Ibrahim Musa, i cili u frymëzua nga atletët me aftësi të kufizuara që ai vëzhgoi gjatë udhëtimeve ndërkombëtare. Ai thotë se shumë njerëz me aftësi të kufizuara në Nigeri janë të margjinalizuar dhe shpesh janë lypës në rrugë.

Musa, i cili tani shërben si trajner kryesor i ekipit, tha se sfida më e madhe është mungesa e pajisjeve të duhura. Mungesa e "skateboardeve" i ka detyruar disa lojtarë të lënë ose të humbasin seancat stërvitore.

Pavarësisht këtyre pengesave, lojtarë si sulmuesi Ibrahim Hashim kanë gjetur shpresë përmes sportit. I lindur me aftësi të kufizuar fizike, Hashim tha se u rrit duke parë fëmijë të tjerë që luanin futboll dhe ëndërronte t'u bashkohej atyre.

Që kur iu bashkua ekipit në vitin 2013, ai ka përfaqësuar Nigerinë në ndeshje në Ganë dhe Bregun e Fildishtë.

Edhe pse nuk praktikohet gjerësisht në gjithë Afrikën, futbolli me "skateboard" ka fituar vëmendje në Kano, duke riformësuar perceptimet për aftësinë e kufizuar.

Për këta sportistë, "skateboardi" i thjeshtë përfaqëson shumë më tepër sesa thjesht një pajisje – është një simbol i mbijetesës, dinjitetit dhe besimit në një të ardhme më të mirë.

Ekipi ka zgjeruar shtrirjen e tij në vende duke përfshirë Ganën, Togon, Beninin dhe Bregun e Fildishtë, duke vazhduar të frymëzojë të tjerët si në fushë, ashtu edhe jashtë saj.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.