Në Maqedoni mbahet akademi solemne për vitin e ri Islam
Kreu i BFI-së, Sulejman Rexhepi në fjalimin e tij, mes tjerash foli edhe për situatën aktuale më të cilën po përballen muslimanët në botë.

SHKUP (AA) – Bashkësia Islame e Maqedonisë (BFI) me anë të një akademie solemne në të cilën ishin të pranishëm personalitete nga jeta publike dhe shoqërore si dhe nga trupi diplomatik në Maqedoni, shënoi ndërrimin e vitit sipas kalendarit Islam, Hixhri, që lidhet me shpërnguljen e profetit Muhammed a.s. nga qyteti i Mekës drejt Medines, raporton Anadolu Agency (AA).
Kreu i BFI-së, Sulejman Rexhepi në fjalimin e tij, mes tjerash foli edhe për situatën aktuale më të cilën po përballen muslimanët në botë. “Jemi dëshmitarë të kolonave të gjata me pleq, gra e fëmijë që po ikin nga atdheu i tyre i përfshirë nga luftërat e pakuptimta. Sipas statistikave zyrtare janë diku rreth 14 milion musliman që bredhin nëpër botë, shumica nga Siria. Ata nuk duan të përfshihen në luftërat të cilat bëhen vetëm për interesa të ngushta. Kjo ikje e tyre duhet të jetë hixhret” tha Rexhepi.
Myftiu i Tetovës, Qani Nesimi, në fjalimin e tij tha se Hixhri ose shpërngulja e profetit Muhammed, më vonë do të reflektojë paqe, harmoni dhe vlerësim të tjetrit.
“Kjo shihet në letrat e Muhammedit a.s. dërguar krerëve fetarë dhe politikë të asaj kohe, Jerusalemit, Afrikës Veriore, Gadishullit Ballkanik, Kostandinopojës etj” tha Nesimi.
Organizatori i kësaj akademie, institucioni më i lartë fetar në Maqedoni, ndau diploma për hafëzët e rinj të cilët kanë mësuar Kur'anin përmendësh, ndërsa si tha kreu i BFI-së, Sulejman Rexhepi, kjo është bërë nëpërmjet Komisionit të Hifzit në BFI”.
Gjatë mbrëmjes u lexua Kuran, ndërsa me perforancë u shfaq edhe kori i Medresesë “Isa Beu" në Shkup, dhe atë në tre gjuhë, shqip, turqisht dhe boshnjakisht që reflekton diversitetin etnik të muslimanëve në Maqedoni.
Në fund, BFI ndau mirënjohje edhe ambasadorit amerikan në Maqedoni, Jess Baily, i cili për shkaqe objektive nuk kishte mundur të jetë prezent në këtë eveniment.
Fjala arabe "Hixhret" nënkupton shpërnguljen e Profetit Muhamed dhe pasueseve të tij nga Meka në Medinë, në vitin 622 të kalendarit gregorian. Muslimanët e rajonit në mënyra të ndryshme e shënojnë ndërrimin e viteve sipas Hixhrit.
Nëpër xhamitë lexohet Kurani, dhe përgatiten programe të veçanta dhe ligjërata në lidhje me ngjarjen e Hixhrit.
Shpërngulja e Profetit Muhammed a.s. dhe muslimanëve të parë nga Meka në Medinë- Hixhreti, është pikënisja e llogaritjes së kalendarit mysliman, kurse kjo ngjarje historike nënkupton fillimin e epokës së tyre.
Viti sipas Hixhrit zgjat rreth 354 ditë, dhe përbëhet prej 12 muajsh. Njëmbëdhjetë ditë është më i shkurtër se kalendari diellor.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.