Mësuesi i xhudos me dëgjim të dëmtuar udhëzon nxënësit e tij me aftësi të kufizuara
Pasi diplomimit, Mevlüt Akmaz, 28-vjeç, u emërua si mësues i edukimit fizik në Shkollën e Mesme Profesionale të Arsimit Special "Adnan Akgül" në Konya dhe përpiqet t'i udhëzojë nxënësit e tij duke kombinuar sportin dhe arsimin.

Konya
KONYA (AA) - ALEYNA KARTAL - Xhudisti i kombëtares turke me aftësi të kufizuara dëgjimi dhe mësuesi i edukatës fizike Mevlüt Akmaz, 28-vjeç, kontribuon për të ardhmen e nxënësve të tij me aftësi të kufizuara, për të cilët ai jep shembull me jetën e tij sportive në qytetin Konya të Turqisë.
Me aftësi të kufizuara dëgjimi që nga lindja, Akmaz shkoi në një shkollë të arsimit special në moshën 1,5 vjeç dhe mësoi të folurit dhe gjuhën e shenjave.
Akmaz u interesua për xhudon në moshën 15-vjeçare, me udhëzimin e babait dhe vëllait të tij më të madh. Ai fitoi medalje argjendi në Kampionatin Botëror të Mundjes për të Shurdhër për të Rinj në Armeni në vitin 2014 dhe në Kampionatin e Dytë Evropian të Mundjes për të Rinj të Shurdhër në Gjeorgji në vitin 2015.
Akmaz, i cili ka fituar medalje të vendeve të para edhe në Turqi, dëshiron të jetë në krye të Lojërave Olimpike për të Shurdhrit që do të mbahen në Tokio të Japonisë në nëntor.
Pasi diplomoi në Universitetin Selçuk, Fakulteti i Shkencave Sportive, Departamenti i Menaxhimit të Sportit, Akmaz u emërua si mësues i edukatës fizike në Shkollën e Mesme Profesionale të Arsimit Special "Adnan Akgül" në Konya dhe përpiqet t'i udhëzojë nxënësit e tij duke kombinuar sportin dhe arsimin.
- "Pasi arrita sukses, mora reagime pozitive nga të gjithë"
Duke iu përgjigjur pyetjeve të drejtuara në gjuhën e shenjave, Akmaz tha për Anadolu se të qenët mësues me dëgjim të kufizuar është e vështirë, por ai e ka kapërcyer këtë.
Akmaz tha se dëshiron të stërvitë studentë xhudoje si ai vetë. "Dua të zhvilloj studentë si unë. Përpiqem t'i stërvit ata që ëndërrojnë të bëhen mësues dhe trajnerë të edukimit fizik. Pasi arrita sukses, mora reagime pozitive nga të gjithë. Ata përreth meje nuk besonin se mund të bëhesha mësues, por unë nuk u dorëzova dhe luftova. Nëna dhe babai im më mbështetën", tha ai.
Ai shtoi se dëshiron që nxënësit që ka trajnuar të përmirësohen dhe të arrijnë sukses në garat ndërkombëtare.
"Mos u dorëzo, mos u shqetëso për atë që thonë njerëzit përreth teje. Bëj përpjekje dhe lufto vetë. Puno shumë dhe bëji ëndrrat e tua realitet. Kur u them nxënësve të mi se jam kampion i Turqisë dhe se jam kualifikuar në gara ndërkombëtare, ata habiten. Më marrin si shembull. I frymëzoj nxënësit e mi dhe u jap shpresë. Po përgatitem për Lojërat Olimpike që do të mbahen në Japoni në nëntor. Qëllimi im në Lojërat Olimpike është të dal i pari dhe të kthehem në vendin tim me medalje ari. Dua të ngre flamurin turk në qiell dhe të këndohet Himni Kombëtar".
- Ata shkojnë mirë me mësuesit e tyre
Një nga nxënësit me dëgjim të dëmtuar, 17-vjeçari Abdulsamet Sabancı, tha se dëshiron të bëhet atlet dhe beson se do ta realizojë ëndrrën e tij me mbështetjen e mësuesit të tij.
Duke theksuar se shkon mirë me mësuesin e tij, Sabancı tha: "Mësuesi jonë e di gjuhën e shenjave dhe na mëson. Unë fillova xhudon dy vjet më parë. Vazhdoj mësimet në shkollë dhe gjithashtu marr trajnime për xhudo".
Ndërkaq, 17-vjeçari Abdulsamet Büyükcam tha se është krenar për mësuesin e tij dhe i frymëzuar prej tij.