jeta

Indonezi, personat me aftësi të kufizuara prodhojnë Batikun tradicional

"Dua t'i motivoj njerëzit me aftësi të kufizuara dhe prindërit e tyre, se kjo kategori mund të jetojë në mënyrë të pavarur dhe të krijojë gjëra të mëdha", tha Saputra

Ekip  | 29.04.2018 - Përdıtësım : 30.04.2018
Indonezi, personat me aftësi të kufizuara prodhojnë Batikun tradicional Foto: Eko Siswono Toyudho / AA

Xhakartë

XHAKARTË (AA) – Aftësitë e kufizuara nuk kanë ndaluar Andika Indra Saputra dhe Agus Rizkianton nga Indonezia të bëjnë një jetë të pavarur.

Saputra ka lindur me një paralizë cerebrale, ndërsa Rizkianto është i shurdhër, mirëpo që të dy kanë një gjë të përbashkët që quhet Batik, teknikë tradicionale indoneziane e ngjyrosjes dhe vizatimit mbi tekstil.

Ata janë të punësuar në fabrikën për prodhim të rrobave, Zola Indonesia, ndërsa për vizitorët e fabrikës, shfaqën aftësitë e tyre.

Me dorën e tij të majtë, Saputra mbante një mjet të ngjashëm me lapsin për të aplikuar një lloj dylli të lëngshëm dhe të nxehtë mbi një pëlhurë të modeluar, ndërkohë që Rizkianto krijoi një lule orizi mbi një shami.

"Ky është një shabllon rrethi të cilin dëshiroj ta vizatoj mbi jastëk", tha Saputra për Anadolu Agency (AA), duke prezantuar punimet që bën.

Të dy personazhet e rrëfimit, i janë bashkuar fabrikës Zola vitin e kaluar, ndërsa puna e tyre tashmë është prezantuar edhe nëpër panairet e ndryshme.

Saputra rikujton se në fëmijërinë e tij është fyer nga fëmijët nga shkaku i aftësive të kufizuara që ka, dhe kjo thotë e kishte ndaluar të luaj në lagje duke e ngujuar në shtëpi.

Kjo përvojë thotë Saputra e ka bërë akoma më të fortë, sepse kështu u ngjall dëshira për t'i dëshmuar botës se njerëzit me aftësi të kufizuara mund të jetojnë jetë të pavarur.

“Dua t'i motivoj njerëzit me aftësi të kufizuara dhe prindërit e tyre, se kjo kategori mund të jetojë në mënyrë të pavarur dhe të krijojë gjëra të mëdha”, tha Saputra.

Dhjetorin e kaluar, ai bashkëpunoi me Dria Manunggal, që është një grup për të drejtat e njeriut, që në fokus ka personat me aftësi të kufizuara, duke përcjellë shqetësimet që kanë lidhur me administratën rajonale, për mungesën e rrugëve dhe vendeve të adhurimit për personat me aftësi të kufizuara.

Aktualisht vetëm xhamia në universitetin shtetëror islamik Kalijaga mundëson kryerjen e ritualeve fetare dhe ka korsi të karroca për invalidët.

Pronari i fabrikës Zola Indonesia, Lili Wijaya, tha se 15 nga 20 të punësuarit e tij janë njerëz me aftësi të kufizuara. Ata janë përgjegjës për tërë procesin e prodhimit, përveç ngjyrosjes.

“Ata kanë një pasion dhe entuziazëm të jashtëzakonshëm për prodhimin e produkteve artizanale”, tha Wijaya.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.