Kulturë, jeta

Hafëzja më e vjetër në Maqedoni ndien mall për Ramazanin në vite

Hafëzja më e vjetër në Maqedoni, 87-vjeçarja Merjem Ebibi: “Gjatë muajve të Ramazanit Shkupi thuajse shndërrohej në atmosferë festive dhe në çdo xhami lexohej mukabele"

Dzihat Aliju,Admir Fazlagikj   | 06.06.2016
Hafëzja më e vjetër në Maqedoni ndien mall për Ramazanin në vite   ( Vedat Abdul - Anadolu Agency )

Shkup

SHKUP (AA) - CİHAD ALİU/ADMİR FAZLAGİKJ –

Hafëzja më e vjetër në Maqedoni, 87-vjeçarja Merjem Ebibi, i kujton me mallëngjim muajit e Ramazanit të përjetuara ndër vite në Shkup.

Ashtu sikundërse gjatë periudhës Osmane, edhe në periudhën pas-Osmane Maqedonia vazhdoi të jetë një nga vendet kryesuese në Ballkan në traditën e memorizimit të Kur’anit. Merjem Ebibi, motra e Hafëz Idris Efendiut dhe njëra nga shtatë fëmijët e Hafëz Ibrahim Efendiut, pjesëtarë të njërës nga familjet me rrënjë shkupjane, dha kontribut të rëndësishëm në vazhdimin e kësaj tradite duke nxjerrë dhjetëra hafëze të Kur’anit.

Ebibi, që nga shkupjanët njihet edhe si “Merjem Ablla”, me mësimet që i ofroi në shtëpinë e saj ka nxjerrë dhjetëra hafëze dhe ua ka mësuar leximin e Kur’anit mbi një mijë nxënëseve.

Ebibi, e cila në mënyrë që “të mos harrohet turqishtja” ka folur turqisht me bashkëshortin e saj shqiptar me të cilin kanë jetuar së bashku 40 vite, për gazetarin e AA-së ka folur në lidhje me muajt e mëparshëm të Ramazanit në Shkup.

Duke folur për babain e saj të ndjerë, Hafëz Ibrahim Efendiun, të cilin e thërriste “babuçem”, Ebibit iu mbushën sytë me lotë. Ajo tregon se i ati kishte qëndrim të rreptë, por nga i cili i ka ruajtur kujtime shumë të mira.

Duke rrëfyer se për shkak të regjimit komunist në ish-Jugosllavi babai nuk u lejonte që të dilnin në rrugë, Ebibi u shpreh se “Babai im kishte qëndrim të rreptë. Madje nuk na lejonte të dilnim në rrugë. Unë isha pakëz më e rehatshme. Dilja, por kur nga cepi vëreja sa babai po vinte menjëherë ikja brenda. Nëna dhe babai kurrë nuk na kanë goditur, madje as lehtë.”

Ebibi tha se meqë perçeja ishte e ndaluar atëbotë, ishte zakon që vajtja si mysafir të bëhej menjëherë pas faljes së namazit të sabahut kur jashtë nuk kishte njeri, ndërsa kthimi në shtëpi bëhej në errësirën e mbrëmjes pas namazit të akshamit dhe theksoi se edhe ata vet kanë vepruar njëlloj për shkak të trysnive që bëheshin kur vinin mysafirë.

- Për vite të tëra ka nxjerrë shumë hafëze-

Ebibi ka dhënë kontribut të madh që qyteti i Shkupit të fitojë dhjetëra hafëze ndër vite, ndërkohë ende flet me gëzim për nxënëset të cilëve u kishte ofruar mësim Kur’ani. “Kudo në Shkup mund të gjeni nxënës të mi. Tani e kam lënë mësimin meqë nuk më premton shëndeti. Më parë, kisha nxënës po aq sa zinte dhoma”, tha Merjem Ebibi.

Ajo ende kujton me mall Ramazanin në vite në Shkup, duke thënë se ishin të lumtur edhe përkundër varfërisë së asaj kohe.

“Gjatë muajve të Ramazanit Shkupi thuajse shndërrohej në atmosferë festive dhe në çdo xhami lexohej mukabele. Edhe në xhaminë e babait tim lexonin gjashtë hafëzllarë. Disa herë në mukabele e dërgonim edhe gjyshen tonë. Shkonim nëpër xhamitë Meddah, Murat Pasha, Jogurtçullar dhe Jahja Pasha. Lus Zotin që hafëzllarët të mos humbasin kurrë", u shpreh Ebibi.

Sipas saj, brezat e ri do të kënaqeshin shumë sikur t’i shijonin Ramazanet e asokohshme. “Shëtisnim shtëpi më shtëpi e i shikonim pitet që bëheshin për Ramazan. Saçet ishin të ngrohta. Ishte gjë shumë e mirë. Edhe pse babai im kishte qëndrim të rreptë, gjatë Ramazanit nuk nxirrte zërin. Çarshia gjallërohej nga gëzimi. Zotërinjtë shëtisnin në çarshi, bënin pazarin dhe ktheheshin në shtëpitë e tyre. Nga shtëpitë nuk dëgjohej zë”, ishin fjalët e Merjem Ebibit për Ramazanet e vjetra në Shkup.

Shkupjania “Hafëz Merjem Ablla” shfaqi modestinë e saj me fjalët që asnjë çast nuk i largoi nga gjuha, “O Zoti im, nuk munda të të falënderoj”, duke uruar në fund që e tërë bota islame të kalojë një Ramazan të mirë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın