Ekspertët paralajmërojnë: Ndryshimi klimatik detyron kafshët detare të ndryshojnë habitatet e tyre
Profesor Sirin paralajmëroi se rritja e temperaturës së detit shkakton edhe lulëzimin e algave, të cilat kanë efekte të dëmshme për organizmat ujorë
Tekirdağ
Ndryshimet klimatike jo vetëm që kanë çuar në nxehtësi rekord në tokë, por edhe në det, gjë që sipas ekspertëve, ka bërë që kafshët e detit të ndryshojnë habitatet e tyre.
Profesori i biologjisë në Universitetin "Namik Kemal" në Tekirdag, Deniz Sirin tha për Anadolu se temperaturat e ujit të detit janë rritur me afërsisht 1.5 gradë Celsius në Mesdhe dhe 0.5 gradë në Detin e Zi në 100 vitet e fundit dhe se një ndryshim i tillë kërcënon ekosistemin detar.
Sirin tha se shpërndarja dhe ciklet e jetës së disa llojeve të peshqve kanë ndryshuar sepse janë bërë më të ndjeshëm ndaj sëmundjeve. "Raporti i Fondacionit Turk të Kërkimeve mbi ndryshimet klimatike dhe detet përmban shembuj mbresëlënës", tha ai.
Shfaqja e peshkut diellor nga Mesdheu jugor deri në Detin Marmara si dhe i iriqëve të detit që janë jokurrizorë në Egjeun verior dhe në detin Marmara është pasojë e ngrohjes globale.
Sirin tha se speciet nga Mesdheu filluan të përhapen gradualisht në Egjeun e Veriut, Marmara dhe madje edhe në Detin e Zi ndërsa uji ngrohej. Ai shtoi se rritja e temperaturave të detit po shkakton edhe lulëzimin e algave, të cilat kanë efekte të dëmshme për organizmat ujorë.
"Lulëzimi i algave ndodh kur substanca të tilla si azoti ose fosfori hyjnë në sistemin e ujit, duke shkaktuar rritje të tepruar të algave", tha Sirin duke shtuar se një dukuri e tillë bllokon rrezet e diellit dhe redukton nivelet e oksigjenit, duke penguar më tej mbijetesën e jetës ujore.
Lulëzimi i algave toksike konsiderohet si shkak për ngordhjet e fundit të luanëve të detit dhe delfinëve përgjatë brigjeve të plazheve të Kalifornisë jugore. Supozohet se krijesat e vogla si guacat, konsumojnë toksina përpara se të hahen nga gjitarët më të mëdhenj detarë.
