jeta

Ditët e torturave i ndjekin pas të mbijetuarit e burgjeve të regjimit sirian

Meysa al-Mihabi doli të blejë bukë për fëmijët e saj kur u rrëmbye nga ushtarët e regjimit

Ali Murat Alhas  | 23.07.2019 - Përdıtësım : 24.07.2019
Ditët e torturave i ndjekin pas të mbijetuarit e burgjeve të regjimit sirian ( Salim Taş - Anadolu Agency )

Ankara

Vite kanë kaluar që kur Meysa al-Mihabi u lirua nga burgu i regjimit në Siri, megjithatë, tortura që ka përjetuar ajo, akoma e ndjek pas për çdo ditë.

"Gratë e burgosura, duke më përfshirë edhe mua, u përdhunuan. Ata (rojet e burgut) do të mbyllnin veshët edhe pse ne i lusnim (që të mos vepronin). Ata nuk e kishin frikë All-llahun", thotë 44-vjeçarja për Anadolu Agency (AA).

Tmerri i saj filloi në vitin 2013 kur u arrestua me akuzat e pabaza në qytetin perëndimor Hama dhe u fut në burg ku ajo u torturua dhe u përdhunua bashkë me shumë gra tjera të burgosura.

Ajo rikujton se kishte dalë për të blerë bukë për fëmijët e saj.

"Rrugës për në shtëpi, një automjet ndaloi para meje dhe ushtarët e regjimit dolën nga ai. Ata më arrestuan mua dhe disa të tjerë që ecnin rrugës pa na dhënë asnjë sqarim", thotë ajo.

Ajo u fut me dhunë në veturë dhe u dërgua në stacion policor ku asnjë nga policët nuk e dëgjonte.

"Jeta ime u shkatërrua në burg. Më futën në një qeli dhe isha e torturuar", thotë ajo, duke shtuar se është rrahur me orë duke i pasur duart dhe këmbët në pranga.

E mbijetuara thotë se ishte e privuar nga ushqimi dhe uji për periudha të gjata.

"Brinjët mu thyen për shkak të goditjeve dhe torturës dhe përgjithmonë humba dëgjimin pasi veshi im i djathtë u godit me një shkop".

Ajo thekson se persekutimi i regjimit kulmoi pas fillimit të luftës civile në Siri në vitin 2011. Zyrtarët e regjimit merrnin persona të zakontë nga rrugët në Hama dhe i dërgonin në burg.

Ushtarët e regjimit i detyronin gratë e burgosura të marrin ilaçe "të panjohura" që shkaktonin depresion të skajshëm, thotë ajo.

Ditët e saja në burg morën fund kur gjykata i përgënjeshtroi akuzat kundër saj dhe e liroi nga burgu.

Mihabi bashkë me pesë fëmijët e saj u strehua në Turqi që është shndërruar në shtëpi për më shumë se 3,6 milionë refugjatë sirianë që nga fillimi i luftës civile.

Ajo ka kaluar më të keqen, por ditët e torturave akoma e ndjekin pas dhe ajo është e detyruar të marrë disa ilaçe për çdo ditë për t'u shëruar nga trauma.

Siria është përfshirë nga një luftë e egër civile që nga viti 2011, kur regjimi i Bashar al-Assad-it ndërhyri me egërsi ndaj demonstruesve.

Sipas të dhënave të OKB-së, që atëherë qindra mijëra njerëz janë vrarë dhe më shumë se 10 milionë janë zhvendosur, përderisa gratë dhe fëmijët vazhdojnë të mbajnë barrën e plotë të konfliktit.

Sipas organizatës joqeveritare Lëvizja Ndërkombëtare e Ndërgjegjes, mbi 13.500 gra u burgosën nga fillimi i luftës civile, përderisa më shumë se 7.000 gra ende gjenden në burgim, ku përballen me tortura, përdhunime dhe dhunë seksuale.

Lëvizja është një aleancë e individëve, grupeve të të drejtave të njeriut dhe organizatave që synojnë të sigurojnë veprim të menjëhershëm për të liruar gratë dhe fëmijët nga burgjet e regjimit sirian.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.