Ekonomi

Projektet turko-saudite të energjisë diellore do t'i fillojnë operacionet në vitin 2028

“Brenda këtij viti do t'i vendosim themelet e këtyre projekteve”, tha ministri Alparslan Bayraktar gjatë ceremonisë së nënshkrimit në Stamboll për projektet e centraleve diellore në Sivas dhe Taseli

Handan Kazancı, Firdevs Yüksel  | 20.02.2026 - Përdıtësım : 20.02.2026
Projektet turko-saudite të energjisë diellore do t'i fillojnë operacionet në vitin 2028

Stamboll

Projekti i madh i energjisë diellore mes Turqisë dhe kompanisë saudite ACWA Power do të nisë operimet komerciale në fillim të vitit 2028, tha ministri turk i Energjisë dhe Burimeve Natyrore, Alparslan Bayraktar, raporton Anadolu.

“Brenda këtij viti do t'i vendosim themelet e këtyre projekteve”, tha Bayraktar gjatë ceremonisë së nënshkrimit në Stamboll për projektet e centraleve diellore në Sivas dhe Taseli.

Bayraktar e përshkroi projektin si një nga investimet e huaja direkte më të mëdha në sektorin e energjisë në Turqi, duke shtuar se ai do t'i mundësojë vendit të sigurojë blerjen e energjisë elektrike me çmimin më të ulët deri më sot.

“Në fazën e dytë të marrëveshjes prej 5.000 megavatësh, do të realizohen investime shtesë prej 3.000 megavatësh në centrale diellore dhe me erë”, tha ai.

Marrëveshja e investimit për projektet diellore në Sivas dhe Taseli u nënshkrua mes Ministrisë turke të Energjisë dhe Burimeve Natyrore dhe ACWA Power, ndërsa marrëveshja për blerjen e energjisë u lidh mes Korporatës Turke të Prodhimit të Energjisë Elektrike (EUAS) dhe kompanisë saudite ACWA Power.


- Armenia mund të bëhet pjesë e iniciativës së “korridorit të gjelbër”

Duke folur për gazetarët pas ceremonisë, Bayraktar theksoi rëndësinë e lokalizimit në investimet e mëdha energjetike.

“Synimi ynë është që 50 për qind e investimit prej rreth 2 miliardë dollarësh të realizohet në Turqi. Edhe në një projekt të kësaj shkalle, nuk heqim dorë nga objektivi i lokalizimit”, tha Bayraktar.

Ai shtoi se institucione financiare ndërkombëtare kanë shprehur interes për financimin e projektit, duke përmendur Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim Korparatën Ndërkombëtare të Financave.

Duke iu përgjigjur një pyetjeje për një marrëveshje të re furnizimi me gaz natyror me Azerbajxhanin, Bayraktar tha se Azerbajxhani dhe kompania e tij shtetërore e energjisë SOCAR kanë qenë prej kohësh furnizues kyç për Turqinë dhe se marrëveshja e fundit do të sigurojë vazhdimin e tregtisë energjetike edhe pas vitit 2030.

Bashkëpunimi energjetik mes dy vendeve nuk kufizohet vetëm në gazin natyror, tha ai, duke përmendur një projekt të planifikuar të “korridorit të gjelbër” që përfshin Azerbajxhanin, Gjeorgjinë, Turqinë dhe Bullgarinë.

Projekti synon eksportimin e energjisë elektrike të prodhuar nga burime të rinovueshme, veçanërisht në Nakhçivan, drejt Turqisë dhe Evropës.

“Ne tashmë kemi nënshkruar marrëveshjet fillestare. Synojmë ta çojmë projektin në fazën e radhës në takimin e Korridorit Jugor të Gazit në fillim të marsit”, tha ai.

I pyetur për bashkëpunim të mundshëm energjetik në kuadër të procesit të normalizimit mes Azerbajxhanit dhe Armenisë, Bayraktar tha se edhe Armenia mund të bëhet pjesë e iniciativës së korridorit të gjelbër.

“Armenia, sigurisht, mund të jetë pjesë e kësaj”, tha ai. “Ne e mbështesim normalizimin në këtë kuptim. Kur flasim për normalizim, nënkuptojmë edhe normalizimin e marrëdhënieve ekonomike”, shtoi Bayraktar.

“Mund të zhvillojmë bashkëpunim edhe në fushën e energjisë. Ka mundësi të mira aty. Shpresoj që ky proces të ecë përpara në mënyrë që t’u shërbejë të gjithëve”, theksoi ministri turk.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın