Politikë, Ekonomi

Kina: SHBA-ja është pasuruar nga kriza e Ukrainës ndërsa Evropa po gjakoset

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Lijian tha se Washingtoni zbatoi Aktin e Reduktimit të Inflacionit "për interesat e veta, duke injoruar ndikimin në vendet e tjera"

Riyaz Khaliq Khaliq  | 02.12.2022 - Përdıtësım : 05.12.2022
Kina: SHBA-ja është pasuruar nga kriza e Ukrainës ndërsa Evropa po gjakoset

Istanbul

Kina akuzoi sot Washingtonin se ka përfituar nga kriza në Ukrainë ndërsa Evropa ka pësuar për shkak të inflacionit të lartë dhe krizës energjetike në dimër, raporton Anadolu Agency (AA).

"SHBA-ja është pasuruar nga kriza e Ukrainës ndërsa Evropa po gjakoset dhe po paguan çmime të larta të energjisë për shkak të inflacionit", tha Zhao Lijian, zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Kinës.

Ai komentoi ligjin e SHBA-së për Reduktimin e Inflacionit, i cili u nënshkrua në gusht për investime urgjente për të ulur kostot e barnave me recetë, kostot e kujdesit shëndetësor dhe kostot e energjisë.

Zhao tha se SHBA-ja zbatoi ligjin “për interesat e veta duke injoruar ndikimin në vendet e tjera, përfshirë të ashtuquajturit aleatët dhe partnerët e saj”.

"Ky është një tjetër shembull i hegjemonisë se Amerika e para", citoi gazeta shtetërore "Global Times" të ketë thënë Lijian.

“Nuk është çudi që disa media evropiane thonë se Evropa duhet të pyesë: Pse paqja dhe prosperiteti ynë duhet të varen nga interesat e SHBA-së?”, tha zëdhënësi.

Udhëheqësit evropianë përflitet se janë ankuar për pakon që ofron subvencione të mëdha për produktet e prodhuara në SHBA, të cilat mund të sjellin disavantazhe për kompanitë jo-amerikane dhe se janë një goditje për ekonomitë e tyre ndërsa kontinenti merret me pasojat e luftës së Rusisë në Ukrainë që filloi në shkurt.

Presidenti francez Emmanuel Macron, i cili u takua me homologun amerikan Joe Biden të enjten, tha se Akti i Reduktimit të Inflacionit është "super agresiv" ndaj kompanive evropiane, sipas një raporti.

Kina nuk e ka mbështetur drejtpërdrejt fushatën ushtarake të Rusisë, por të dy vendet kanë deklaruar një partneritet "pa kufij".

Perëndimi, ndërkohë, ka vendosur sanksione të paprecedentë ndaj Moskës duke i ofruar Kievit mbështetje financiare, humanitare dhe ushtarake për t'u mbrojtur nga "agresioni" rus.

Përveç tensioneve gjeopolitike, krizës energjetike evropiane dhe inflacionit, lufta ka çuar në 17.023 viktima civile në Ukrainë: 6.655 të vrarë dhe 10.368 të plagosur, sipas OKB-së.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.