Vlerësimi satelitor i OKB-së zbulon se 81 për qind e strukturave në Rripin e Gazës janë dëmtuar
Zëdhënësi i OKB-së tha se "më shumë se 123 mijë struktura në të gjithë enklavën janë identifikuar si të shkatërruara, 50 mijë të tjera janë dëmtuar rëndë ose mesatarisht, dhe 24 mijë janë ndoshta të dëmtuara"
Hamilton
OKB-ja ka bërë të ditur se sipas një vlerësimi satelitor gati 81 për qind e të gjitha strukturave në Rripin e Gazës janë dëmtuar, teksa përpjekjet humanitare vazhdojnë mes shkatërrimit të përhapur nga dy vjet sulmesh izraelite, transmeton Anadolu.
Duke cituar Zyrën për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA), zëdhënësi i OKB-së, Farhan Haq, në një konferencë për media tha se"shkalla e vazhdueshme e reagimit ndaj ndihmës tashmë ka një ndikim pozitiv tek njerëzit në të gjitha zonat e enklavës”.
“Por nevojitet shumë më tepër në mënyrë që të mund të adresojmë shkallën e plotë të nevojave dhe të mos lëmë askënd pas dore”, shtoi ai.
Duke theksuar se puna e rinovimit “po vazhdon”, Haq deklaroi se tre ditëve të fundit “OKB-ja dhe partnerët tanë kanë mbështetur rihapjen e pesë hapësirave të përkohshme të mësimit në Qytetin Gaza”.
Duke cituar analizën e fundit nga Qendra Satelitore e OKB-së, Haq tha se “rreth 81 për qind e të gjitha strukturave në Rripin e Gazës janë dëmtuar”.
"Veriu i Gazës përjetoi rritjen më të madh të dëmeve që nga korriku i vitit 2025, me gati 5.700 struktura të prekura rishtazi", tha ai, duke shtuar se "më shumë se 123 mijë struktura në të gjithë enklavën janë identifikuar si të shkatërruara, 50 mijë të tjera janë dëmtuar rëndë ose mesatarisht, dhe 24 mijë janë ndoshta të dëmtuara".
Izraeli ka vrarë të paktën 68 mijë njerëz në Gaza në më shumë se dy vjet sulmesh që nga tetori i vitit 2023.
Një armëpushim midis Izraelit dhe Hamasit u arrit më 10 tetor, bazuar në një plan të paqes prej 20 pikash të propozuar nga presidenti amerikan Donald Trump. Megjithatë, Izraeli e ka shkelur armëpushimin disa herë.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
             