Ushtria izraelite bombardon një tjetër ndërtesë banimi në Qytetin Gaza
Dëshmitarët thanë se avionët luftarakë izraelitë goditën kullën menjëherë pasi ushtria lëshoi urdhra të menjëhershme evakuimi për banorët e saj dhe tendat aty pranë

Gaza
Ushtria izraelite ka bombarduar dhe shkatërruar kullën rezidencial Al-Kawthar në Qytetin Gaza mes sulmeve të fundit që synojnë ndërtesa të larta teksa ushtria zgjeroi ofensivën për të pushtuar qytetin, raporton Anadolu.
Dëshmitarët thanë se avionët luftarakë izraelitë goditën kullën menjëherë pasi ushtria lëshoi urdhra të menjëhershme evakuimi për banorët e saj dhe tendat aty pranë.
Ushtria izraelite ka shënjestruar ndërtesa të larta në të gjithë Qytetin Gaza si pjesë e ofensivës së saj të vazhdueshme për të pushtuar qytetin, duke urdhëruar banorët të lëvizin drejt jugut në një të ashtuquajtur "zonë humanitare të sigurt" në Al-Mawasi të Khan Younisit, e cila vazhdimisht është goditur nga sulmet izraelite, duke vrarë qindra civilë.
Sipas Zyrës për media të Qeverisë së Gazës, ushtria izraelite ka shkatërruar plotësisht 1.600 kulla dhe ndërtesa banimi në Qytetin Gaza që nga 11 gushti, si dhe 13 mijë tendave, duke zhvendosur më shumë se 100 mijë palestinezë.
Që nga tetori i vitit 2023, lufta e vazhdueshme e Izraelit në Gaza ka vrarë të paktën 64.900 palestinezë dhe ka shkatërruar enklavën, e cila përballet me urinë.
Nëntorin e vitit të kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhër-arreste ndaj kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza. Izraeli gjithashtu përballet me një padi gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën në enklavë.