BALLKANI

Gjakova, qyteti ku ruhet shpirti arkitektonik osman

Dyqanet e vogla njëkatëshe me dyer nga druri dhe me tjegulla pullazi të vjetra përmbi, aroma e kafesë së pjekur dhe rrezet e diellit që rrokin kalimtarët, e bëjnë çarshinë sikur të ishte një skenë e ndonjë filmi historik osman

Agim Sulaj  | 14.09.2025 - Përdıtësım : 14.09.2025
Gjakova, qyteti ku ruhet shpirti arkitektonik osman Foto: Erkin Keçi/AA

Gjakovë

E shtrirë në zemër të Rrafshit të Dukagjinit, në pjesën perëndimore të Kosovës, Gjakova, është qytet ku ruhet ende shpirti arkitektonik osman nëpër rrugët e këtij qyteti, shtëpitë e vjetra, faltoret, urat dhe objekte tjera të rëndësishme të kohës.

Rrugët me kalldrëm, siluetat e minareve, urat e vjetra me harqe, sahatkulla ikonike, qëndrojnë ende si dëshmi e gjurmëve arkitektonike të Periudhës Osmane në këtë anë.

Ekipi i Anadolu vizitoi disa nga monumentet më emblematike të kësaj trashëgimie: Çarshinë e Madhe, Xhaminë e Hadumit, Kullën e Sahatit dhe Urën e Tabakëve.

Çarshia e Madhe - Vendi i tregtisë

Qindra vjet më vonë pas ndërtimit të saj në shekullin e 17-të, tani Çarshia e Madhe e Gjakovës është më shumë sesa vetëm një kompleks tregtar.

Kalimi nëpërmjet saj është rrugëtim në kohë që kombinon kulturën me tregtinë, ku zanatlinjtë e vjetër ende punojnë duke ruajtur mjeshtri tradicionale të trashëguara për breza me radhë, nga artizanate të vjetra deri tek puna mekanike.

Dyqanet e vogla njëkatëshe me dyer nga druri dhe me tjegulla pullazi të vjetra përmbi, aroma e kafesë së pjekur dhe rrezet e diellit që rrokin kalimtarët, e bëjnë çarshinë sikur të ishte një skenë e ndonjë filmi historik osman.

Marrë parasysh se ajo është dëmtuar, sidomos gjatë luftës së fundit, intervenimet e kanë rikthyer si simbol i rezistencës dhe ringjalljes kulturore.

Xhamia e Hadumit dhe Kulla e Sahatit - Besimi dhe koha në harmoni

Në jug të Çarshisë, ngrihet Xhamia e Hadumit, e cila rri ende si kurorë e bukurisë së monumenteve të trashëgimisë së këtij qyteti.

E ndërtuar në shekullin e 16-të nga arkitekti osman Mimar Sinani, me financimin e Hadum Sylejman Efendiut, ajo ka një arkitekturë klasike, të ngjashme me xhamitë e kohës së saj, me kupolën e mbuluar me plumb, katër shtyllat në hyrje dhe një oborr mesatarisht të madh, krahas së cilit ndodhen varret me mbishkrime osmane dhe një bibliotekë në krah.

Fare pranë xhamisë, qytetin e zbukuron Kulla e Sahatit, me gjerësi prej rreth katër metër dhe me një lartësi prej afër 30 metër, e ndërtuar kryesisht me gurë. Sahat Kulla u ndërtua menjëherë pas Xhamisë së Hadumit, në vitin 1597, dhe lartësia e saj është nën atë të xhamisë.

Kulla e Sahatit shërbente dikur për matjen e kohës së namazeve dhe aktiviteteve ditore pranë çarshisë.

Edhe ajo u shkatërrua gjatë luftërave ballkanike, rreth vitit 1912, për t’u rindërtuar më vonë, ndërsa thuhet se, kambanorja e saj origjinale gjatë kësaj kohe u transportua për në Mal të Zi.

Ura e Tabakëve - Lidhja e Gjakovës me qytetet shqiptare

E vendosur mbi Lumin Erenik, më në jug të Gjakovës, Ura e Tabakëve përpos me fshatrat përreth, lidhte qytetin dikur edhe me qytetet shqiptare si Shkodra dhe Kukësi.

Me një gjatësi prej 127 metra dhe gjerësi prej 4.30 metra, ajo është ndërtuar në shekullin e 17-të nga esnafët e tabakëve që kalonin mallrat e tyre nëpërmjet kësaj ure.

Ura e Tabakëve e cila sot është një vend reflektimi dhe një thesar fotografik për vizitorët, renditet ndër dhjetë urat mesjetare më të mëdha të ndërtuara në trojet shqiptare.

Ajo përbëhet nga harqe të gdhendura dhe rrethore, ndërsa pjesa ballore e urës është e zbukuruar me ornamente dhe mbishkrime të gdhendura në gurë.

Edhe kjo urë gjatë luftës së fundit, 1998-99, ka pësuar transformime, por pas restaurimit është rikthyer në gjendjen e saj origjinale.

Përtej ndërtesave, urave dhe çdo gjëje fizike, në Gjakovë, trashëgimia Osmane ka zënë vend edhe në stilin e përditshëm të qytetarëve, nga mënyra se si rregullohen me “salltanet” dyqanet, si përshëndeten njerëzit dhe si respektohet e kaluara.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.