Të paktën 7 të vrarë pas rrëzimit të aeroplanit të UPS-së në Kentucky
"Lajmet nga Louisville janë të vështira sonte pasi numri i të vdekurve ka arritur të paktën shtatë, me numrin që pritet të rritet", tha guvernatori Beshear
Washington DC
Të paktën shtatë persona kanë humbur jetën pasi një aeroplan mallrash u rrëzua pranë Aeroportit Ndërkombëtar Muhammad Ali në Louisville në Kentucky, transmeton Anadolu.
"Lajmet nga Louisville janë të vështira sonte pasi numri i të vdekurve ka arritur të paktën shtatë dhe pritet që ky numër të rritet", shkroi guvernatori i shtetit Kentucky, Andy Beshear, në platformën sociale të kompanisë amerikane X.
Më herët, Beshear tha se 11 persona të plagosur u transportuan në spitalet lokale.
Komentet e tij vijnë pasi Shërbimi i Bashkuar i Paketave (UPS) tha se një nga avionët e tyre ishte përfshirë në një rrëzim dje, duke shkaktuar mbylljen e përkohshme të aeroportit.
Administrata Federale e Aviacionit (FAA) tha se fluturimi 2976 i UPS-së u rrëzua rreth orës 5:15 pasdite me kohën lokale pasi u nis nga aeroporti në Kentucky për në Honolulu, Hawaii.
Kryebashkiaku i qytetit Louisville, Craig Greenberg, në një konferencë për media tha se në aeroplan kishte tre anëtarë të ekuipazhit.
"Katër personat që kemi konfirmuar të vdekur nuk janë në aeroplan. Përsëri, ne besojmë se do të jenë shtatë për të cilët jemi në dijeni në këtë kohë", tha Greenberg.
Greenberg tha se më shumë se 100 zjarrfikës nga i gjithë rajoni ende janë në vendngjarje duke punuar. Ai shtoi se ende ka pika kritike dhe mbyllje rrugësh.
- Bordi Kombëtar i Sigurisë së Transportit do të mbajë një takim informues mëngjesin e sotëm
Greenberg tha se Bordi Kombëtar i Sigurisë së Transportit (NTSB) është përgjegjës për hetimin e rrëzimit dhe do të jetë burimi kryesor i informacionit në lidhje me hetimin zyrtar.
"Kam folur gjithashtu me një anëtar të bordit nga NTSB-ja, i cili do të mbërrijë nesër. Para orës 10 të mëngjesit, do të vijnë 28 persona nga NTSB-ja", shtoi ai.
Anëtari i Bordit të NTSB-së, Todd Inman, do të shërbejë si zëdhënës në vendngjarje. Ekipi hetimor pritet të mbërrijë sot në Kentucky, ku do të mbajë një konferencë për mediat.
Greenberg tha gjithashtu se aeroporti i mbyllur që mbrëmë, do të hapet mëngjesin e sotëm.
Aeroporti njoftoi se të gjitha fluturimet që mbërrijnë dhe nisen janë pezulluar përkohësisht.
"Ne gjithashtu po i kërkojmë publikut që, nëse gjejnë ndonjë mbeturinë në zonë, të shmangin prekjen e tyre", tha zyrtari i informacionit publik të aeroportit.
- UPS-ja ndalon operacionet e klasifikimit të pakove në Worldport
Më herët, Beshear tha se në aeroplan nuk kishte "ngarkesë veçanërisht të rrezikshme" që mund të shkaktojë probleme mjedisore për ata që ndodhen pranë vendit të incidentit, por "përplasja dhe vendi ku ndodhi mund të krijojnë situata të tilla".
Duke cituar shefin e zjarrfikësve, ai tha se avioni transportonte rreth 38 mijë galonë karburant. Ai tha ase nuk do të spekulojë mbi shkakun e aksidentit.
"Këtë do ta përcaktojë NTSB-ja dhe nuk duam të ndërhyjmë në asnjë mënyrë në këtë proces", tha Beshear.
Departamenti i Policisë Metropolitane të qytetit Louisville u bëri thirrje qytetarëve të qëndrojnë në vendbanimet e tyre dhe të shmangin kontaktin me tymin nga incidenti pranë aeroportit.
Një Qendër për Ribashkimin e Familjeve të Viktimave është ngritur në Akademinë e Trajnimit të Policisë Metropolitane në Louisville.
Ndërkohë, UPS-ja njoftoi se po ndalon operacionet e përzgjedhjes së pakove sonte në Worldport.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
