Kina pezullon disa tarifa mbi importet amerikane
Lëvizja vjen pasi presidenti kinez Xi Jinping dhe homologu i tij amerikan Donald Trump mbajtën një samit javën e kaluar në Korenë e Jugut, ku të dyja palët vendosën për një marrëveshje 1-vjeçare në tregti dhe tarifa
Istanbul
Kina ka bërë të ditur se do të pezullojë për një vit tarifat shtesë prej 24 për qind të vendosura mbi disa importe amerikane, transmeton Anadolu.
Lëvizja vjen pasi presidenti kinez Xi Jinping dhe homologu i tij amerikan Donald Trump mbajtën një samit javën e kaluar në Korenë e Jugut, ku të dyja palët vendosën për një marrëveshje 1-vjeçare në tregti dhe tarifa.
Megjithatë, tha Komisioni i Tarifave Doganore i Këshillit të Shtetit, Kina do të mbajë tarifat prej 10 për qind. Komisioni njoftoi se masat e reja do të hyjnë në fuqi në orën 13:01 (05:01GMT) më 10 nëntor.
Më tej, thuhet se vendimi "synon të zbatojë rezultatet dhe konsensusin e arritur në bisedimet ekonomike dhe tregtare Kinë-SHBA". Kina dhe SHBA-ja zhvilluan disa raunde bisedimesh drejt një marrëveshjeje tregtare, e cila ishte në agjendë gjatë samitit Xi-Trump në qytetin Busan të Koresë së Jugut më 30 tetor.
"Pezullimi i vazhdueshëm i disa tarifave shtesë midis Kinës dhe SHBA-së do të ndihmojë në promovimin e zhvillimit të shëndoshë dhe të qëndrueshëm të marrëdhënieve dypalëshe ekonomike dhe tregtare, do të sjellë përfitime për popujt e të dy vendeve dhe do të kontribuojë në prosperitetin global", theksohet më tej.
Sipas komisionit, Kina do të ndërpresë masat shtesë tarifore të përcaktuara në një njoftim të mëparshëm për disa importe me origjinë nga SHBA-ja.Në fillim të këtij viti, përkatësisht në muajin mars, Kina vendosi tarifë shtesë prej 15 për qind për produktet e pulës, grurin, misrit dhe pambukut të importuar nga SHBA-ja.
Sorgumi, soja, mishi i derrit, mishi i viçit, produktet ujore, frutat, perimet dhe produktet e qumështit i nënshtroheshin një tarife shtesë prej 10 për qind. Duke iu drejtuar një konference për media në Pekin, zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme, Mao Ning, tha se politika e Kinës ndaj SHBA-së "ruan qëndrueshmëri".
"Ne gjithmonë i shohim dhe i trajtojmë marrëdhëniet me SHBA-në sipas parimeve të respektit të ndërsjellë, bashkëpunimit fitimprurës për të dyja palët. Ndërkohë, ne do të mbrojmë me vendosmëri sovranitetin, sigurinë dhe interesat tona të zhvillimit", tha Mao.
"Një marrëdhënie e shëndoshë dhe e qëndrueshme Kinë-SHBA është në interesat themelore të të dy popujve dhe është ajo që pret me padurim komuniteti ndërkombëtar", shtoi ajo.
