Türkiye shpreson të arrijë sa më parë rezultate për shkëmbimin e pengjeve mes Izraelit dhe Hamasit
Presidenti Erdoğan tha se Türkiye është në komunikim të vazhdueshëm për të zgjidhur krizën e pengjeve dhe pret të marrë rezultate pozitive nga bisedimet

Algjer
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, ka deklaruar se Türkiye shpreson të arrijë sa më parë rezultate pozitive në një marrëveshje për shkëmbimin e pengjeve midis Izraelit dhe grupit palestinez Hamas, raporton Anadolu.
Në një konferencë të përbashkët për media me homologun e tij algjerian, Abdelmadjid Tebboune, pas takimit të tyre në Algjer, presidenti Erdoğan tha se Türkiye është në komunikim të vazhdueshëm për të zgjidhur krizën e pengjeve dhe pret të marrë rezultate pozitive nga bisedimet.
Erdoğan njoftoi se ministri turk i Punëve të Jashtme, Hakan Fidan dhe shefi i inteligjencës turke, İbrahim Kalın, me përpjekje të përbashkëta nga Katari, janë angazhuar në bisedime për lirimin e pengjeve.
Lidhur me bombardimin e Gazës nga Izraeli, Erdoğan tha se sulmet ndaj spitaleve, vendeve të kultit dhe objekteve të tjera në Gaza, të cilat duhet të jenë nën mbrojtje, si dhe zhvendosja e detyruar e njerëzve përbëjnë akte “çnjerëzore dhe barbarizëm”.
Presidenti turk tha se vendi i tij pa mëdyshje kundërshton sulmet izraelite në Gaza, të cilat përbëjnë dënim kolektiv dhe krime lufte. Ai theksoi se përparësia e Ankarasë është një armëpushim i përhershëm dhe ndihma humanitare e papenguar.
“Krijimi i një shteti palestinez me kryeqytet Kudsin Lindor, bazuar në kufijtë e vitit 1967, tani është i pashmangshëm. Në këtë drejtim, ne do të vazhdojmë të bëjmë maksimumin”, theksoi ai.
Izraeli ka nisur sulme të pamëshirshme ajrore dhe tokësore në Rripin e Gazës pas një sulmi ndërkufitar nga grupi palestinez Hamas më 7 tetor.
Së fundmi, autoritetet në Gaza njoftuan se numri i palestinezëve të vrarë nga sulmet izraelite në enklavën e rrethuar që nga 7 tetori është rritur në mbi 13.300, përfshirë 5.600 fëmijë dhe 3.550 gra.
Ndërkohë, numri zyrtar i vdekjeve izraelite është rreth 1.200.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.