Papa Leoni takon me presidentin palestinez Abbas
Vatikani njoftoi se takimi midis dy udhëheqësve u mbajt me rastin e 10-vjetorit të marrëveshjes gjithëpërfshirëse të 26 qershorit të vitit 2015, e cila çoi në njohjen e Shtetit të Palestinës nga Vatikani
Vatikan
Papa Leoni XIV, udhëheqës shpirtëror i katolikëve, ka diskutuar me presidentin palestinez, Mahmoud Abbas, dërgimin e ndihmës për popullin e Gazës dhe zgjidhjen me dy shtete, transmeton Anadolu.
Abbas ndodhet në Romë për një vizitë zyrtare në Itali dhe Vatikan, ndërsa këtë mëngjes ai i filloi takimet e tij nga Vatikani.
Lidhur me takimin e Papës Leo dhe presidentit Abbas, Vatikani njoftoi se takimi midis dy udhëheqësve u mbajt me rastin e 10-vjetorit të marrëveshjes gjithëpërfshirëse të 26 qershorit të vitit 2015, e cila çoi në njohjen e Shtetit të Palestinës nga Vatikani.
"Gjatë takimit të përzemërt u theksua nevoja urgjente për t'u ofruar ndihmë civilëve në Gaza dhe për t'i dhënë fund konfliktit përmes kërkimit të një zgjidhjeje me dy shtete", thuhet në deklaratë.
Më herët, më 21 korrik, Papa Leoni XIV dhe Abbas zhvilluan një bisedë telefonike, ku diskutuan situatën në Gaza dhe dhunën në Bregun Perëndimor.
Presidenti palestinez nesër do të zhvillojë takime të ndara me presidentin italian Sergio Mattarella dhe kryeministren Giorgia Meloni.
Ndërkohë, në Romë janë marrë masa të gjera sigurie për vizitën e presidentit Abbas.
- Abbas viziton varrin e ish-Papa Françeskut në Romë
Abbas mbërriti në Romë dje pasdite dhe fillimisht në Bazilikën e Shën Marisë Maggiore (Santa Maria Maggiore) vizitoi varrin e Papa Françeskut, ish-udhëheqësit shpirtëror të katolikëve që ndërroi jetë më 21 prill.
Sipas 'Vatican News', Abbas vendosi një buqetë me lule në varr dhe foli para gazetarëve pasi doli nga bazilika.
"Erdha të takoj Papa Françeskun, sepse nuk mund ta harroj atë që ai ka bërë për Palestinën dhe popullin palestinez dhe nuk mund ta harroj njohjen e tij të Palestinës pa pasur nevojë t'ia kërkojë askush", tha ai.
Nga tetori i vitit 2023 deri në vdekjen e tij, Papa Françesku herë pas here reagonte ndaj sulmeve të Izraelit në Gaza me deklarata të ashpra.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
