Bota, Koronavirusi

Specialistët në Britani: Mund të ketë lidhje midis vaksinës AstraZeneca dhe mpiksjes së gjakut

Specialistët e barnave në Britani besojnë se mund të ketë një lidhje midis vaksinës AstraZeneca dhe incidencave të rralla të mpiksjes së gjakut që kanë ndodhur

Ekip, Rabia İclal Turan  | 07.04.2021 - Përdıtësım : 07.04.2021
Specialistët në Britani: Mund të ketë lidhje midis vaksinës AstraZeneca dhe mpiksjes së gjakut

Londër

Specialistët e barnave në Britani të Madhe besojnë se mund të ketë një lidhje midis vaksinës AstraZeneca/Oxford dhe incidencave të rralla të mpiksjes së gjakut që kanë ndodhur që nga përhapja e saj, transmeton Anadolu Agency (AA).

Universiteti i Oksfordit, i cili ndihmoi në krijimin e vaksinës, ka ndaluar gjithashtu testet klinike të vaksinës në më shumë se 200 fëmijë, përfshirë të rinjtë e moshës prej 6 deri në 17 vjeç, si masë paraprake ndërsa presin rezultatet e një hetimi të nisur nga Agjencia Rregullatore e Barnave dhe Produkteve Shëndetësore (MHRA) dhe Agjencia Evropiane e Barnave (EMA).

"Ndërsa nuk ka shqetësime të sigurisë në testet klinike pediatrike, ne presim informacione shtesë nga MHRA mbi rishikimin e saj të rasteve të rralla të trombozës/thrombocytopenia që janë raportuar tek të rriturit, përpara se të bëjmë ndonjë vaksinim të mëtejshëm testues", tha universiteti në një deklaratë të cituar nga BBC News.

Pavarësisht shqetësimit në rritje për lidhjet midis vaksinës së Oksfordit dhe mpiksjes së gjakut, ngjarjet e fundit janë tepër të rralla. Deri në fund të marsit, 30 raste të mpiksjes së gjakut kishin ndodhur në Britani që rezultoi në vdekjen e shtatë personave. Specialistët argumentojnë se të gjitha vaksinat dhe ilaçet kanë efekte anësore dhe se përfitimet janë shumë më të mëdha se rreziqet në këtë çështje.

Qeveria ka bërë thirrje për qetësi dhe maturi, duke qetësuar publikun se nuk ka nevojë për shqetësim dhe se njerëzit duhet të dalin dhe të marrin gjilpërën nëse janë në gjendje.

"Gjëja më e mirë që njerëzit duhet të bëjnë është të shikojnë se çfarë thotë MHRA, rregullatori ynë i pavarur, prandaj i kemi ata, ngase ata janë të pavarur. Këshilla e tyre për njerëzit është që të vazhdojnë të shkojnë dhe të marrin gjilpërën, të marrin dozën e dytë", tha kryeministri i Britanisë, Boris Johnson.

Vaksina e tretë kundër koronavirusit do të shpërndahet në të gjithë Britaninë, ku qytetarët e Uellsit do jenë të parët që do të marrin vaksinën.

Vaksina Moderna u miratua nga MHRA në janar të këtij viti me 17 milionë doza të porositura. Uellsi është shteti i parë i Britanisë që merr vaksina me 5.000 doza që janë dërguar në qendrat e vaksinimit. Mbetet e panjohur kur pjesa tjetër e Britanisë do të fillojë administrimin e vaksinës Moderna.

"Ne po prisnim një reduktim të furnizimit të vaksinës së Oksfordit gjatë gjithë prillit dhe kjo do të na ndihmojë të rikthejmë mungesën duke siguruar që të mbesim në rrugën e duhur për t'i vaksinuar të gjithë", tha Darren Hughs nga Konfederata NHS e Uellsit për Radion BBC të Uellsit.

Rreth 1.49 milionë njerëz në Uells kanë marrë dozën e parë të vaksinës kundër COVID-19, afërsisht 47.4 për qind e popullsisë së saj, ndërsa 469 mijë persona kanë marrë dozën e dytë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın