Spanja sinjalizon se do të tërhiqet nga Eurovisioni nëse merr pjesë Izraeli
"Nëse nuk mund ta përjashtojmë Izraelin nga konkursi, as Spanja nuk duhet të marrë pjesë ashtu siç kanë bërë Irlanda, Sllovenia, Islanda dhe Holanda", tha ministri spanjoll, Urtasun

Madrid
Ministri spanjoll i Kulturës, Ernest Urtasun ka mbrojtur idenë se nëse Izraeli, i cili kryen gjenocid në Gaza, nuk përjashtohet nga Festivali i Këngës në Eurovision, Spanja ashtu si shumë vende të tjera evropiane, nuk duhet të marrë pjesë në të, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë për Radio televizionin shtetëror spanjoll RNE, Urtasun shprehu shqetësim lidhur me pjesëmarrjen e Izraelit në Festivalin e Këngës në Eurovision 2026, duke thënë: "Nëse nuk mund ta përjashtojmë Izraelin nga konkursi, as Spanja nuk duhet të marrë pjesë ashtu siç kanë bërë Irlanda, Sllovenia, Islanda dhe Holanda".
Duke kujtuar ndërprerjen e fazës së fundit të garës çikliste "La Vuelta" në Madrid për shkak të protestave anti-izraelite, Urtasun tha se "Ngjarjet kulturore dhe sportive nuk duhet ta pastrojnë gjenocidin. Ngjarjet kulturore dhe sportive nuk duhet ta normalizojnë një gjenocid".
Ministri Urtasun, i cili është gjithashtu zëdhënës i Aleancës "Sumar", partnerit të vogël në qeverinë e koalicionit të Spanjës, pretendon se vendi ka marrë një qëndrim më vendimtar kundër Izraelit në muajt e fundit me iniciativën e partisë së tij.
Ai kritikoi opozitën kryesore, Partinë Popullore (PP) të krahut të djathtë, e cila mohon përfshirjen e Izraelit në Gaza. "PP demonstron mungesë të plotë besueshmërie në çështjet e politikës së jashtme. Nuk i kam dëgjuar kurrë të ankohen kur u vendos të përjashtohej Rusia, por ata nuk kanë të njëjtin qëndrim ndaj Izraelit", tha Urtasun.
Çdo ditë rritet numri i vendeve që njoftojnë se nuk do të marrin pjesë në Festivalin e Këngës Eurovision 2026, ose se do ta shqyrtojnë pjesëmarrjen e tyre, nëse Izraelit i lejohet të marrë pjesë.
Transmetues të shumtë publikë kanë njoftuar se vendet e tyre nuk do të marrin pjesë nëse i lejohet të marrë pjesë në Eurovision 2026, Izraelit i cili vazhdon gjenocidin e tij në Gaza.
Irlanda, Sllovenia dhe Holanda kanë njoftuar pa mëdyshje se nuk do të marrin pjesë në Eurovision vitin e ardhshëm nëse Izraeli pranohet, ndërsa Islanda, Belgjika dhe Spanja kanë sinjalizuar gjithashtu veprime të ngjashme.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.