SHBA, të paktën 2 të vdekur pas rrëzimit të një avioni pranë aeroportit në Teksas
Autoritetet nuk kanë publikuar ende emrat e viktimave ndërsa shkaku i rrëzimit ende është nën hetim

Shkup
Të paktën 2 persona humbën jetën të dielën, pasi një avion i vogël u rrëzua pranë fushës ajrore Hicks në Fort Worth në shtetin amerikan të Teksasit, transmeton Anadolu.
Njësitë nga Departamenti i Zjarrfikësve të Fort Worth u dërguan në bulevardin North Saginaw pas raportimeve për rrëzimin, raportoi "Dallas Morning News", duke cituar të dhënat e policisë.
Detajet rreth origjinës dhe destinacionit të avionit nuk ishin menjëherë të disponueshme, sipas Zyrtarit të Informacionit Publik të Departamentit të Zjarrfikësve të Fort Worth, Craig Trojacek.
Trojacek tha se avioni me dy motorë u rrëzua në pjesën e pasme të një parkingu në një zonë industriale ku ndodhet një biznes që ruan kamionë, rimorkio dhe kamperë.
Autoritetet nuk kanë publikuar ende emrat e viktimave ndërsa shkaku i rrëzimit ende është nën hetim.
Zyra e Sherifit të Qarkut Tarrant tha se Administrata Federale e Aviacionit ishte njoftuar dhe do të marrë drejtimin e hetimit.
Videot e postuara në rrjetet sociale treguan tym të zi të dendur që ngrihej nga vendi i ngjarjes.