Bota

Rusia akuzon Izraelin për avionin e rrëzuar në Siri

"15 ushtarë rusë humbën jetën për shkak të veprimeve të papërgjegjshme të Izraelit. Gjendja në fjalë nuk e reflekton frymën e partneritetit Rusi-Izrael”

Emre Gürkan Abay, Eşref Musa  | 18.09.2018 - Përdıtësım : 18.09.2018
Rusia akuzon Izraelin për avionin e rrëzuar në Siri

Moskē

MOSKË (AA) – Ministria ruse e Mbrojtjes deklaron se avioni ushtarak i Rusisë, i cili u zhduk mbrëmë nga radari në Siri, është rrëzuar nga regjimi i Bashar al Asadit për shkak të sulmeve të Izraelit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes të Rusisë, Igor Konashenkov, në një deklaratë për gazetarë në Moskë tha se avioni ushtarak rus II-20 ku ndodheshin 15 ushtarë dhe i cili u zhduk mbrëmë nga radari mbi Detin Mesdhe, është rrëzuar nga sistemi i mbrojtjes ajrore të regjimit, S-200.

Duke vënë në dukje se avioni është rrëzuar për shkak të sulmit ajror të Izraelit, të kryer ndaj Sirisë, Konashenkov tha se “15 ushtarë rusë humbën jetën për shkak të veprimeve të papërgjegjshme të Izraelit. Gjendja në fjalë nuk e reflekton frymën e partneritetit Rusi-Izrael”.

Konashenkov pretendoi se avionët luftarak F-16 të Izraelit kanë përdorur avionin II-20 të Rusisë si mburojë. Ai po ashtu bëri të ditur se koha e mjaftueshme për largimin e avionit rus nga rajoni nuk është mundësuar për shkak të lajmërimit të vonuar të Sirisë për sulmin në fjalë.

Agjencia e lajmeve e regjimit të Asadit, SANA, mbrëmë kishte bërë të ditur se është kryer një sulm me raketë nga një palë e panjohur ndaj Institutit të Industrisë Teknike në Latakia dhe se sistemet e mbrojtjes ajrore kanë neutralizuar disa prej raketave.

Peskov: Avioni i rrëzuar rus nuk do të ndikojë në marrëveshjen për Idlibin

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha se marrëveshja e arritur në mes të Turqisë dhe Rusisë për Idlibin është tejet e rëndësishme për të ardhmen e Sirisë, duke shtuar se “Avioni i rrëzuar rus në Siri nuk do të ndikojë assesi në këtë marrëveshje”.

Peskov në një deklaratë për media foli në lidhje me marrëveshjen e djeshme të arritur në mes të presidentit të Turqisë Recep Tayyip Erdoğan dhe presidentit të Rusisë Vladimir Putin në Soçi të Rusisë.

Ai vuri theksin në rëndësinë e marrëveshjes. "Kjo është një marrëveshje tejet e rëndësishme për të ardhmen e Sirisë. Moska dhe Ankaraja duke sakrifikuar për zgjidhjen e krizës në Siri, po tregojnë aftësinë për gjetjen e zgjidhjeve pajtuese dhe efektive. Avioni i rrëzuar rus në Siri nuk do të ndikojë assesi në këtë marrëveshje", tha Peskov.

Kujtojmë se presidentët Erdoğan dhe Putin gjatë një takimi dje në Soçi të Rusisë arritën marrëveshje për krijimin e një zone të demilitarizuar në Idlib.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın