Bota

Presidenti turk merr pjesë në Samitin e Paqes në Sharm el-Sheikh për marrëveshjen e armëpushimit në Gaza

Erdoğan, Trump, Sisi dhe Sheikh Tamim nënshkruan në Egjipt deklaratën e qëllimit për t'i dhënë fund luftës në Gaza gjatë Samitit për Paqe në Sharm el-Sheikh.

Serdar Dincel, İrem Demir  | 13.10.2025 - Përdıtësım : 13.10.2025
Presidenti turk merr pjesë në Samitin e Paqes në Sharm el-Sheikh për marrëveshjen e armëpushimit në Gaza

Stamboll

SHARM EL-SHEIKH/ STAMBOLL (AA) – Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, të hënën mori pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të deklaratës së qëllimi për t’i dhënë fund luftës në Gaza, e cila u mbajt në Sharm el-Sheikh të Egjiptit, me ftesë të homologut egjiptian Abdel Fattah al-Sisi dhe presidentit amerikan Donald Trump, raporton Anadolu.

Para ceremonisë, Erdoğan u prit nga Trump në Qendrën Ndërkombëtare të Konventave, ku të dy biseduan për pak kohë dhe më pas pozuan për fotografi.

Pas mirëseardhjes që presidenti amerikan u bëri liderëve pjesëmarrës, u shkrep fotografia familjare. Ceremonia nisi me mbërritjen e liderëve nga vende të ndryshme, ndërsa Trump mbajti fjalën hapëse.

Më pas, Erdoğan, Trump, Sisi dhe Emiri i Katarit, Sheikh Tamim bin Hamad Al Thani, nënshkruan marrëveshjen, e cila zyrtarizon përfundimin e luftës në Gaza

“Në kërkojmë tolerancë, dinjitet dhe mundësi të barabarta për të gjithë, duke siguruar që ky rajon t’u lejojë njerëzve të ndjekin ëndrrat e tyre në paqe, siguri dhe mirëqenie ekonomike, pavarësisht racës, fesë apo përkatësisë etnike”, thuhet në deklaratë.

“Ne ndjekim një vizion gjithëpërfshirës të paqes, sigurisë dhe mirëqenies kolektive, të mbështetur në respekt të ndërsjellë dhe ndjenjë fati të përbashkët”, vijon dokumenti, duke shtuar se “në këtë frymë, mirëpresim përparimin e arritur drejt vendosjes së një paqeje gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme në Rripin e Gazës, si dhe marrëdhëniet miqësore dhe të favorshme ndërmjet Izraelit dhe fqinjëve të tij rajonalë”.

Liderët shprehën angazhimin për të bashkëpunuar në ruajtjen e kësaj trashëgimie, duke ndërtuar baza institucionale që do t’u mundësojnë brezave të ardhshëm “të lulëzojnë së bashku në paqe”.

“Ne angazhohemi për një të ardhme me paqe të qëndrueshme”, shtuan ata.

Pas nënshkrimit, liderët pozuan për një fotografi kujtimore.

Faza e parë e marrëveshjes së armëpushimit në Gaza hyri në fuqi të premten, sipas planit të Trumpit për t’i dhënë fund luftës dyvjeçare të Izraelit në enklavë. Më herët sot, filloi lirimi i palestinezëve nga burgjet izraelite, pasi Hamasi kishte liruar të gjithë 20 pengjet izraelitë të mbijetuar që mbaheshin në Rripin e Gazës.

Që nga tetori 2023, sulmet izraelite kanë vrarë mbi 67.800 palestinezë në Gaza, shumica gra dhe fëmijë, duke e lënë enklavën pothuajse të pabanueshme.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.