Presidenti Trump pret në takim presidentin Erdoğan në Shtëpinë e Bardhë për bisedime
Takimi i tyre vjen në një moment kritik, teksa tensionet në Lindjen e Mesme vazhdojnë të përshkallëzohen mes luftës së vazhdueshme të Izraelit në Gaza dhe presionit ndërkombëtar në rritje për një zgjidhje diplomatike të çështjes palestineze

Washington DC
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka pritur në takim për bisedime në Shtëpinë e Bardhë homologun e tij turk, Recep Tayyip Erdoğan, raporton Anadolu.
Dy presidentët do të zhvillojnë një takim dypalësh në Zyrën Ovale, i ndjekur nga një drekë pune.
Erdoğan dhe Trump pritet të diskutojnë lidhjet dypalëshe, duke përfshirë tregtinë, investimet dhe industrinë e mbrojtjes, së bashku me çështjet rajonale.
Takimi i tyre vjen në një moment kritik, teksa tensionet në Lindjen e Mesme vazhdojnë të përshkallëzohen mes luftës së vazhdueshme të Izraelit në Gaza dhe presionit ndërkombëtar në rritje për një zgjidhje diplomatike të çështjes palestineze.
"Unë besoj se takimi ynë me presidentin Trump do të kontribuojë në përfundimin e luftërave dhe konflikteve në rajonin tonë brenda kornizës së vizionit tonë të përbashkët për paqe globale dhe do të forcojë më tej bashkëpunimin midis vendeve tona", tha Erdoğan më herët.
Erdogan ishte në New York për të marrë pjesë në sesionin e këtij viti të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Të mërkurën, ai mbërriti në kryeqytetin amerikan ku qëndroi në ‘Blair House’, rezidencën zyrtare të mysafirëve të presidentit të SHBA-së.
Gjatë qëndrimit të tij në New York, ai mori pjesë në një pritje të organizuar të martën nga presidenti Trump dhe zonja e parë Melania Trump në nder të krerëve të shteteve dhe bashkëshorteve të tyre.
Veçmas, Erdogan, së bashku me Trumpin, të martën morën pjesë në një takim shumëpalësh mbi Gazën në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.