Kryeministri Kurti zhvilloi takim bilateral me homologun belg, Bart De Wever
Çështjet kryesore të diskutimit midis Kurtit dhe De Wever ishin marrëdhëniet bilaterale dhe fushat e mundësitë me interes të përbashkët, ku theks të veçantë pati bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes dhe rritja e shkëmbimeve tregtare

Prishtinë
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka takuar kryeministrin e Mbretërisë së Belgjikës, Bart De Wever, në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në New York, transmeton Anadolu.
Siç njofton Zyra e Kryeministrit, çështjet kryesore të diskutimit midis Kurtit dhe De Wever ishin marrëdhëniet bilaterale dhe fushat e mundësitë me interes të përbashkët, ku theks të veçantë pati bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes dhe rritja e shkëmbimeve tregtare.
Së fundmi, Brukseli zyrtar ka njoftuar se do të mirëpresë atasheun e mbrojtjes së Kosovës, kurse në muajin korrik, në një tjetër hap të rëndësishëm për thellimin e raporteve në fushën e mbrojtjes, ministritë e mbrojtjes së dy vendeve nënshkruan Deklaratën e Qëllimit të Përbashkët në këtë fushë.
Zyra e Kryeministrit bënë të ditur se Kurti i ka konsideruar këto zhvillime pozitive dhe të rëndësishme për marrëdhëniet dhe bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve, por në të njëjtën kohë për paqen dhe sigurinë, marrë parasysh kompleksitetin dhe brishtësinë e situatës gjeopolitike globale.
Bëhet e ditur gjithashtu se gjatë takimit, kryeministri kosovar falënderoi homologun De Wever për mbështetjen e vazhdueshme të Belgjikës ndaj shtetit të Kosovës, për kontributin e vazhdueshëm në fushën e sigurisë dhe për angazhimin e palëkundur të Kosovës për integrim evropian dhe NATO.
Ky takim bilateral, që njëherësh ishte i pari ndërmjet kryeministrit Kurti dhe kryeministrit De Wever, u zhvillua në hapësirat e Misionit të Përhershëm të Belgjikës në OKB.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.