Bota

Presidenti Erdoğan takohet me liderë botërorë në Egjipt në kuadër të samitit të paqes

Erdoğan u takua me presidentin francez Macron, presidentin egjiptian al-Sisi, kryeministrin britanik Starmer, kryeministren italiane Meloni, kancelarin gjerman Merz dhe Emirin e Katarit, Al-Thani.

Shpetim Hiseni  | 13.10.2025 - Përdıtësım : 13.10.2025
Presidenti Erdoğan takohet me liderë botërorë në Egjipt në kuadër të samitit të paqes

Shkup

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, në kuadër të pjesëmarrjes së tij në Samitin e Paqes në Sharm el-Sheikh të Egjiptit, zhvilloi takime me disa liderë botërorë, raporton Anadolu.

Në Egjipt, Erdoğan u takua me presidentin francez Emmanuel Macron, presidentin egjiptian Abdel Fattah al-Sisi, kryeministrin britanik Keir Starmer, kryeministren italiane Giorgia Meloni, kancelarin gjerman Friedrich Merz dhe Emirin e Katarit, Sheikh Tamim bin Hamad Al Thani.

Takimet u zhvilluan në kuadër të përpjekjeve për të forcuar bashkëpunimin ndërkombëtar dhe për të gjetur zgjidhje të qëndrueshme për paqen dhe stabilitetin në Lindjen e Mesme, pas marrëveshjes së armëpushimit në Gaza.

- Takimi me Starmerin

Gjatë takimit me kryeministrin britanik u diskutuan marrëdhëniet dypalëshe midis Turqisë dhe Britanisë së Madhe si dhe çështjet rajonale dhe globale, tha Drejtoria turke e Komunikimeve.

Erdoğan tha se po punojnë për të zhvilluar bashkëpunimin midis Turqisë dhe Britanisë në të gjitha fushat, veçanërisht në industrinë e mbrojtjes.

Ai theksoi se Turqia po bën përpjekje intensive për t'i dhënë fund sulmeve në Rripin e Gazës dhe për të arritur një armëpushim. Presidenti turk tha se përpjekjet për ta bërë armëpushimin të përhershëm dhe për t'i hapur rrugën paqes do të vazhdojnë duke u rritur.

"Ndihma humanitare duhet të arrijë në Gaza pa ndërprerje dhe se rindërtimi i Gazës duhet të fillojë menjëherë", tha presidenti Erdoğan i cili shtoi se paqja e qëndrueshme mund të arrihet vetëm përmes një zgjidhjeje me dy shtete dhe se përpjekjet e komunitetit ndërkombëtar në këtë drejtim janë të rëndësishme.

- Macron

Në takimin me presidentin francez Emmanuel Macron, Erdoğan theksoi rëndësinë e vazhdimit të armëpushimit në Gaza dhe rindërtimin e enklavës.

Sipas një njoftimi të Drejtorisë së Komunikimeve të Presidencës së Turqisë, gjatë takimit u diskutuan marrëdhëniet Turqi-Francë dhe situata në Gaza.

Erdoğan theksoi vendosmërinë e Turqisë për të zhvilluar bashkëpunimin me Francën në të gjitha fushat.

Ai po ashtu nënvizoi rëndësinë e vazhdimit të armëpushimit në Gaza dhe nevojën për rindërtimin e rajonit, duke shtuar se ndihmat e Turqisë për përfundimin e krizës humanitare në zonë do të vazhdojnë pa ndërprerje.

Presidenti Erdoğan gjithashtu theksoi rëndësinë e një zgjidhjeje me dy shtete për arritjen e paqes së qëndrueshme.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın