Pekini: Respektimi i parimit "Një Kinë" parakusht që Tajvani të marrë pjesë në APEC
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme kineze, Mao Ning tha se Taipei duhet të përmbushë dispozitat përkatëse dhe praktikat e vendosura sipas memorandumit të mirëkuptimit të APEC-ut
Istanbul
Pekini tha se respektimi i parimit "Një Kinë" është parakusht politik që Tajvani të marrë pjesë në Bashkëpunimin Ekonomik Azi-Paqësor (APEC) vitin e ardhshëm, transmeton Anadolu.
Kina do të presë takimin e APEC-ut të vitit 2026 në qytetin jugor të Shenzhen-it.
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme kineze, Mao Ning tha se Taipei duhet të përmbushë dispozitat përkatëse dhe praktikat e vendosura sipas memorandumit të mirëkuptimit të APEC-ut.
"Pozicioni i Kinës për këtë çështje është i qartë dhe i vendosur", tha Mao në një konferencë për media në Pekin, duke përmendur se respektimi i parimit "Një Kinë" është një parakusht politik që Taipei Kinez të marrë pjesë në APEC.
Diplomati më i lartë i Tajvanit, Lin Chia-lung tha të mërkurën se Taipei do të nisë "kundërmasa" ndaj Kinës pasi Pekini tha se pjesëmarrja e Tajvanit në Samitin e APEC-ut të vitit të ardhshëm duhet të jetë në përputhje me parimin "Një Kinë".
"Ne do të mbrojmë të drejtën tonë për të marrë pjesë dhe do të punojmë me vendet me mendësi të ngjashme për të nisur kundërmasa", tha Lin, sipas "Focus Taiwan".
Tajvani iu bashkua APEC-ut, një forum ndërqeveritar për 21 ekonomi anëtare, në vitin 1991 nën emrin "Tajvani Kinez".
Sipas parimit të një Kine të vetme, Pekini e sheh Tajvanin si pjesë të territorit kinez ndërsa Tajvani ka këmbëngulur në pavarësi që nga viti 1949.
Veçmas, Tajvani u ka hequr shtetësinë 50 personave për marrjen e dokumenteve kineze, tha të martën kryetari i Këshillit të Çështjeve Kontinentale të Tajvanit, Chiu Chui-cheng.
