Parlamenti i Iranit miraton mbylljen e Ngushticës së Hormuzit pas sulmeve të SHBA-së në centralet bërthamore
"Vendimi përfundimtar në këtë drejtim i takon Këshillit të Lartë të Sigurisë Kombëtare”, tha gjeneralmajori Kowsari

Stamboll
Parlamenti i Iranit ka miratuar një masë për të mbyllur Ngushticën e Hormuzit për trafikun detar pas sulmeve të SHBA-së në tre centrale bërthamore iraniane, transmeton Anadolu.
“Parlamenti ka arritur në përfundim se Ngushtica e Hormuzit duhet të mbyllet”, tha gjeneralmajori Esmaeil Kowsari, anëtar i Komisionit të Sigurisë Kombëtare të parlamentit iranian, në deklaratat e transmetuara nga televizioni shtetëror Press TV.
Ngushtica e Hormuzit konsiderohet si porta më e rëndësishme në botë për transportin e naftës.
“Vendimi përfundimtar në këtë drejtim i takon Këshillit të Lartë të Sigurisë Kombëtare”, tha Kowsari.
Këshilli i Lartë i Sigurisë Kombëtare shërben si autoriteti më i lartë i sigurisë i Iranit.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, herët në mëngjes njoftoi se forcat amerikane kryen sulme ajrore "shumë të suksesshme" në tre lokacione bërthamore iraniane, mes frikës në rritje të një konflikti më të gjerë në rajon.
Armiqësitë shpërthyen më 13 qershor kur Izraeli nisi sulme ajrore në disa vende në të gjithë Iranin, duke përfshirë objekte ushtarake dhe bërthamore, duke bërë që Teherani të nisë sulme hakmarrëse.
Që atëherë, autoritetet izraelite thanë se të paktën 25 persona janë vrarë dhe qindra të tjerë janë plagosur në sulmet iraniane me raketa, ndërkohë sipas autoriteteve iraniane, të paktën 430 persona janë vrarë dhe më shumë se 3.500 të tjerë plagosur në sulmet izraelite në Iran.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.