Bota, Shëndetësi, Koronavirusi

Paneli i pavarur kritikon OBSH-në dhe Kinën për përgjigjen ndaj pandemisë COVID-19

Paneli, i ngritur pas kritikave nga SHBA dhe vendet e tjera mbi trajtimin fillestar të OBSH-së për pandeminë, tha se vendet anëtare duhet t'i japin agjencisë burimet dhe autoritetin për t'u marrë me një shpërthim të tillë

Ekip   | 20.01.2021
Paneli i pavarur kritikon OBSH-në dhe Kinën për përgjigjen ndaj pandemisë COVID-19

Gjenevë

Një panel i pavarur që ekzaminon përgjigjen e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) ndaj pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19), ka theksuar se do të dëshironte që agjencia globale të ishte më e përgatitur për të trajtuar një virus të tillë në të ardhmen, transmeton Anadolu Agency (AA).

Paneli, i ngritur pas kritikave nga SHBA dhe vendet e tjera mbi trajtimin fillestar të OBSH-së për pandeminë, tha se vendet anëtare duhet t'i japin agjencisë burimet dhe autoritetin për t'u marrë me një shpërthim të tillë.

Raporti i ndërmjetëm i panelit përmbante kritika si ndaj OBSH-së ashtu edhe ndaj Kinës për shpejtësinë e përgjigjes së tyre fillestare ndaj shpërthimit të koronavisurit.

Zbulimet e Panelit të Pavarur për Gatishmërinë dhe Reagimin Pandemik (IPPR) u njoftuan në një konferencë virtuale për media nga bashkë-kryetarët e këtij paneli, ish-kryeministrja e Zelandës së Re, Helen Clark dhe ish-presidentja e Liberisë, Ellen Johnson Sirleaf, para takimit të tyre virtual me komitetin ekzekutiv të OBSH-së.

Paneli zbuloi qartë se "masat e shëndetit publik mund të ishin zbatuar më fuqishëm nga autoritetet lokale dhe kombëtare të shëndetit në Kinë në janar të vitit 2020".

"Nuk ështe qartë pse komiteti (i urgjencës) nuk u takua deri në javën e tretë të janarit, as nuk është e qartë pse nuk ishte në gjendje të pajtohet mbi deklaratën (PHEIC - Urgjenca e Shëndetit Publik të Shqetësimit Ndërkombëtar)", tha raporti i IPPR.

Clark theksoi se të gjithë pajtohen se kurrë nuk duan që bota të jetë përsëri në një situatë të vështirë si kjo, si dhe theksoi se detyra e panelit është që të "kthejë kokën pas me përfitimin e mendimit të parë".

"Por ne si një panel do të donim që institucionet dhe kombet të ishin të pajisur mirë kur do të shfaqen kërcënime të reja shëndetësore në të ardhmen", tha Clark.

Clark tha se bota duhet "në mënyrë thelbësore të rivendosë sistemet e gatishmërisë dhe reagimit për të ndihmuar që kjo të mos ndodhë më". Një korrigjim i tillë, theksoi ajo, "tani është i nevojshëm".

"Menjëherë dhe vazhdimisht, ne kërkojmë nga vendet të miratojnë masat e shëndetit publik, të cilat do të reduktojnë përhapjen dhe ndikimin e pandemisë COVID-19", shtoi ajo.

Ndërsa Sirleaf tha se paneli nuk po përpiqet të "vendos fajin" mbi dikë. Qëllimi, tha ajo, është të vlerësojë "atë që mund të përmirësohet dhe të bëjë rekomandime konkrete që do të ndihmonin botën për t'u përgjigjur më shpejt dhe më mirë në të ardhmen".

Sirleaf tha se tani është e qartë se bota është më e varur nga OBSH-ja se kurrë më parë, duke shtuar se vendet anëtare e kanë mbajtur OBSH-në "të dobët dhe me burime të ulëta për të bërë punën e pritur nga ajo".

Megjithatë, Pekini ishte kritik ndaj raportit.

Një zëdhënës kinez tha se "Kina sugjeron që komiteti i shqyrtimit dhe IPPR duhet të përmirësojnë më tej raportin dhe të bëjnë vlerësimin shkencor objektiv të drejtë, gjithëpërfshirës dhe të ekuilibruar si nga parandalimi ashtu edhe nga reagimi".

Presidenti në largim i SHBA-ve, Donald Trump, ishte një kritik i vazhdueshëm i OBSH-së, duke e quajtur atë "një kukull të Kinës".

Në muajin prill të vitit të kaluar, Trump njoftoi një ndalim të fondeve për agjencinë globale dhe në muajin korrik zyrtarisht lëvizi drejt tërheqjes së SHBA-ve nga OBSH-ja.

Ai njoftoi Kongresin Amerikan dhe Kombet e Bashkuara (OKB) për qëllimet e tij për të tërhequr efektivin nga 6 korriku i vitit 2021.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.