Bota, Sport, Koronavirusi

"Lojërat Olimpike Tokio 2020 mund të mos mbahen as në vitin 2021"

"Nuk mendoj se dikush do të mund të thotë nëse do të jetë e mundur ta vendos nën kontroll situatën brenda korrikut të ardhshëm ose jo", tha drejtori ekzekutiv i Komitetit Organizativ të Lojrave Olimpike të Tokios, Toshiro Muto

Ekip  | 10.04.2020 - Përdıtësım : 10.04.2020
"Lojërat Olimpike Tokio 2020 mund të mos mbahen as në vitin 2021"

Tokio

Përderisa koronavirusi vazhdon të përhapet në Japoni, drejtori ekzekutiv i Komitetit të Lojërave Olimpike, Tokio 2020 deklaroi sot se nuk mund të garantojë se Olimpiada e shtyrë do të organizohet vitin e ardhshëm, madje edhe përkundër shtyrjes 16-mujore, transmeton Anadolu Agency (AA).

Kryeministri japonez, Shinzo Abe lëshoi ​​një deklaratë emergjente këtë javë për luftën kundër virusit, duke e vendosur vendin nën kufizime pasi menduan se kishin shmangur përhapjen.

"Nuk mendoj se dikush do të mund të thotë nëse do të jetë e mundur ta vendos nën kontroll situatën brenda korrikut të ardhshëm ose jo", tha drejtori ekzekutiv i Komitetit Organizativ të Lojrave Olimpike të Tokios, Toshiro Muto në një konferencë për media nga distanca. "Ne sigurisht që nuk jemi në gjendje t'iu japim përgjigje të qartë", tha ai.

Lojërat Olimpike u shtynë muajin e kaluar për periudhën nga 23 korriku deri më 9 gusht 2021 ndërsa Lojërat Paraolimpike u shtynë më 24 gusht.

Abe është kritikuar se ka vepruar ngathët kundër koronavirusit. Drejtuesit politik të opozitës kanë sugjeruar se ka minimizuar ashpërsinë e virusit, duke thënë se mund të ketë qenë i lidhur me dëshirën për t'i mbajtur Lojërat Olimpike këtë vit.

"Ne kemi marrë vendim që të shtyjmë lojërat për një vit" shtoi Muto. "Pra, kjo do të thotë se gjithçka që mund të bëjmë është të punojmë shumë për t'u përgatitur për lojërat. Ne sinqerisht shpresojmë se vitin e ardhshëm njerëzimi do të arrijë të mposhtë krizën e koronavirusit", tha ai.

Për planet e mundshme alternative në rast se lojërat nuk mund të mbahen as në verën e vitit 2021, Muto tha: "Në vend që të mendojmë për plane alternative, ne duhet të bëjmë çdo përpjekje për t'u marrë me këtë krizë. Njerëzimi duhet të bashkojë të gjithë teknologjinë dhe mençurinë e tij dhe të punojë shumë për të zhvilluar trajtime, ilaçe dhe vaksina".

Japonia ka regjistruar 5.530 raste të infeksionit me COVID-19 si dhe 99 vdekje.

Vendi ka popullsinë më të vjetër në botë ndërsa më të rrezikuarit nga COVID-19 janë të moshuarit.

Më 11 Mars, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), përhapjen e koronavirusit e shpalli "pandemi globale". Përveç Evropës, OBSH ka shpallur SHBA-të epiqendër të re të pandemisë së koronavirusit, e cila u shfaq për herë të parë në fund të vitit të kaluar në qytetin kinez Wuhan.

Më shumë se 96,700 njerëz kanë vdekur nga COVID-19 në të gjithë botën dhe mbi 1.6 milionë raste të infeksionit të koronavirusit janë konfirmuar në mbarë botën, tregojnë të dhënat nga Universiteti Amerikan "Johns Hopkins". Më shumë se 360 mijë persona janë shëruar deri më tani.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın