Bota, Koronavirusi

Kryeministri i ri i Malajzisë në vetizolim, mungon në ceremoninë e betimit të kabinetit

Kryeministri i ri i Malajzisë mungon në ceremoninë e betimit të kabinetit të tij pasi ka qenë në kontakt me një person të infektuar me COVID-19

Ekip  | 30.08.2021 - Përdıtësım : 30.08.2021
Kryeministri i ri i Malajzisë në vetizolim, mungon në ceremoninë e betimit të kabinetit

Kuala Lumpur

Kryeministri i ri i Malajzisë do mungojë në ceremoninë e betimit të qeverisë së tij të re pasi ishte në kontakt me një person të infektuar me koronavirusin e ri (COVID-19), njoftoi zyra e tij, transmeton Anadolu Agency (AA).

Ismail Sabri Yaakob hyri në vetizolim, kurse në festimet zyrtare të Ditës Kombëtare të së martës do të marrë pjesë virtualisht, sipas një deklarate nga zyra e tij. Nuk u bë e ditur me kë ai ishte në kontakt, nëse ishte testuar dhe sa kohë do të qëndronte në izolim.

Ai mori detyrën më 21 gusht mes zemërimit të publikut për dështimin e qeverisë së mëparshme lidhur me kontrollimin e pandemisë. Rastet ditore janë rritur në mbi 20.000 që nga 5 gushti, ku infeksionet totale tejkalojnë 1,7 milion. Vaksinimi po vijon me shpejtësi dhe 62 për qind e popullsisë së rritur është vaksinuar plotësisht.

Paraardhësi i tij, Muhyiddin Yassin, dha dorëheqjen më 16 gusht pas më pak se 18 muajsh në detyrë pasi mosmarrëveshjet brenda koalicionit të tij i kushtuan me humbjen e mbështetjes së shumicës në Parlament.

Ismail, 61-vjeç, ishte zëvendës i Muhyiddin, kurse emërimi i tij për të udhëhequr qeverinë nga mbreti i Malajzisë në thelb ktheu të njëjtin koalicion qeverisës në pushtet. Gjithashtu e ktheu kryeministrinë në partinë e Ismailit, e cila e ka udhëhequr vendin që nga pavarësia nga Britania në 1957, por u rrëzua në zgjedhjet e 2018 mes një skandali financiar të disa miliarda dollarësh.

Ismail Sabri Yaakob është kritikuar për riemërimin e ministrave nga kabineti i mëparshëm i cili nuk arriti të frenojë pandeminë pavarësisht gjendjes së jashtëzakonshme shtatë mujore dhe bllokimit që nga qershori.

Gjithsej 31 ministra dhe 38 zëvendësministra bënë betimin e tyre të hënën. Kryeministri i ri nuk caktoi një zëvendës, por mbajti katër poste të larta ministrore të krijuara nga Muhyiddin për të kënaqur fraksionet në qeverinë e tij.

Shumë njerëz, megjithatë, duartrokitën emërimin e ish-ministrit popullor të Shkencës, Khairy Jamaluddin, i cili ishte përgjegjës për programin e vaksinimit, si ministër i ri i Shëndetësisë.

Vdekjet e konfirmuara të Malajzisë nga COVID-19 kanë shkuar në mbi 16.000.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.