Bota

Kryeministri holandez, Schoof: Sot u ndërmor një hap i rëndësishëm për paqen në Gaza

"Izraeli duhet të përmbushë anën e tij të marrëveshjes, për shembull, duke siguruar që shumë më tepër ndihma të arrijnë tek populli i Gazës", tha Dick Schoof

Selman Aksünger  | 13.10.2025 - Përdıtësım : 13.10.2025
Kryeministri holandez, Schoof: Sot u ndërmor një hap i rëndësishëm për paqen në Gaza

Hagë

Kryeministri i qeverisë së përkohshme të Holandës, Dick Schoof tha se në kuadër të armëpushimit që hyri në fuqi në Gaza të gjitha pengjet e mbijetuara janë kthyer në mënyrë të sigurt në Izrael, transmeton Anadolu.

"Sot u ndërmor një hap i ri i rëndësishëm, por ka ende shumë për të bërë në rrugën drejt paqes", tha Schoof në një deklaratë në platformën e mediave sociale të kompanisë amerikane X. Ai theksoi se është shumë e rëndësishme që të gjitha pengjet e mbijetuara të ktheheshin mëngjesin e sotëm në mënyrë të sigurt dhe të ribashkoheshin me familjet e tyre në Izrael.

Schoof, i cili do të marrë pjesë në samitin e paqes në Sharm el-Sheikh tha: "Izraeli duhet të përmbushë anën e tij të marrëveshjes, për shembull, duke siguruar që shumë më tepër ndihma të arrijnë tek populli i Gazës".

Ai njoftoi se do të udhëtojë sot në Egjipt për bisedime të iniciuara nga SHBA-ja dhe Egjipti, të cilat do të përfshijnë më shumë se 20 vende, mbi planin e paqes dhe hapat e ardhshëm drejt paqes së qëndrueshme në rajon për Rripin e Gazës.

- Marrëveshja për armëpushim në Gaza

Më 9 tetor, presidenti i SHBA-së, Donald Trump njoftoi se Izraeli dhe Hamasi kanë miratuar fazën e parë të planit për armëpushim në Rripin e Gazës gjatë negociatave që po zhvilloheshin në Egjipt.

Marrëveshja u nënshkrua në Egjipt ku po zhvilloheshin negociatat dhe me miratimin e qeverisë izraelite, ajo hyri në fuqi në orët e para të 10 tetorit.

Si pasojë e sulmeve të Izraelit në Rripin e Gazës në periudhën midis 8 tetorit 2023 dhe marrëveshjes së armëpushimit janë vrarë 67.682 palestinezë ndërsa janë plagosur 170.033 të tjerë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.