Kryediplomati iranian: SHBA-ja “kaloi çdo vijë të kuqe” me sulmin e fundit ndaj objekteve bërthamore
I pyetur nëse Teherani do të hakmerret në bazat amerikane apo do të mbyllë Ngushticën e Hormuzit, Aragchi tha se “ka një sërë opsionesh në dispozicion për ne dhe kaq”

Ankara
Ministri i Punëve të Jashtme i Iranit, Abbas Araghchi, gjatë një konference për media në Stamboll ka deklaruar se SHBA-ja “kaloi çdo vijë të kuqe” me sulmin e fundit ndaj objekteve bërthamore iraniane, si dhe ka paralajmëruar se diplomacia mund të mos jetë më e mundur, raporton Anadolu.
Araghchi tha se sulmet e fundit të SHBA-së ndaj Iranit janë “shkelje të egra, të rënda dhe të pashembullta të parimeve themelore të Kartës së OKB-së dhe të drejtës ndërkombëtare”.
“Irani dënon me fjalët më të ashpra agresionin brutal ushtarak të SHBA-së kundër objekteve bërthamore paqësore të Iranit”, theksoi Araghchi.
Ai gjithashtu theksoi se Irani do të vazhdojë të mbrojë territorin dhe sovranitetin e tij me të gjitha mjetet, jo vetëm kundër “agresionit ushtarak të SHBA-së, por edhe ndaj veprimeve të paligjshme të Izraelit”.
Kryediplomati iranian tha se thirrjet për një kthim në diplomaci janë “të parëndësishme” pasi bisedimet ishin duke vazhduar në kohën kur ndodhën sulmet e SHBA-së.
“Ne ishim në mes të bisedimeve me SHBA-në kur izraelitët shpërthyen. Dhe përsëri, ne ishim në mes të bisedimeve dhe negociatat me evropianët ndodhën vetëm dy ditë më parë në Gjenecë. Këtë herë, amerikanët vendosën të shpërthejnë”, tha Araghchi.
“Është shumë për të ardhur keq që Izraeli po bën, siç e quajti kancelari gjerman, një punë të ndyrë. Ata mbështetën atë punë të ndyrë, kjo është turp”, shtoi ai.
Ai tha se Traktati i Mos Përhapjes Bërthamore (NPT) nuk mund ta mbrojë Iranin pavarësisht angazhimit të tij të plotë, duke u shprehur më tej: “Pse vendet që synojnë energji bërthamore paqësore duhet të mbështeten në traktat?”.
Araghchi tha se do të udhëtojë për në Moskë pasdite dhe nesër do të takohet me presidenti rus, Vladimir Putin, për të diskutuar situatën e fundit pas sulmeve të fundit të SHBA-së.
I pyetur nëse Teherani do të hakmerret në bazat amerikane apo do të mbyllë Ngushticën e Hormuzit, Aragchi tha se “ka një sërë opsionesh në dispozicion për ne dhe kaq”.
Situata në rajon u përkeqësua më tej pasi presidenti i SHBA-së, Donald Trump, herët në mëngjes njoftoi se forcat amerikane kryen sulme ajrore "shumë të suksesshme" në tre lokacione bërthamore iraniane, mes frikës në rritje të një konflikti më të gjerë në rajon.
Pas sulmeve të SHBA-së, Irani i bëri thirrje Këshillit të Sigurimit të OKB-së të mbajë një takim urgjent për të dënuar agresionin e SHBA-së dhe për t’i mbajtur përgjegjës ata që shkelin të drejtën ndërkombëtare.
Armiqësitë shpërthyen më 13 qershor kur Izraeli nisi sulme ajrore në disa vende në të gjithë Iranin, duke përfshirë objekte ushtarake dhe bërthamore, duke bërë që Teherani të nisë sulme hakmarrëse.
Që atëherë, autoritetet izraelite thanë se të paktën 25 persona janë vrarë dhe qindra të tjerë janë plagosur në sulmet iraniane me raketa, ndërkohë sipas autoriteteve iraniane, të paktën 430 persona janë vrarë dhe më shumë se 3.500 të tjerë plagosur në sulmet izraelite në Iran.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.