Kina vë në shërbim aeroplanmbajtësen e saj të parë me katapultë elektromagnetike në marinë
Aeroplanmbajtësja “Fujian” është e aftë të mbështesë ngritjen dhe uljen e avionëve luftarakë të rëndë J-15T, avionëve J-35 me teknologji të fshehtë dhe avionëve të paralajmërimit të hershëm KJ-600
Istanbul
Kina ka futur në shërbim aeroplanmbajtësen e saj të parë të pajisur me katapultë elektromagnetike në provincën jugore Hainan, transmeton Anadolu.
Presidenti kinez, Xi Jinping mori pjesë në ceremoninë e dorëzimit.
Sipas mediave vendase, aeroplanmbajtësja e parë kineze me katapultë elektromagnetike "Fujian" është e aftë të mbështesë ngritjen dhe uljen e avionëve luftarakë të rëndë J-15T, avionëve J-35 me teknologji të fshehtë dhe avionëve të paralajmërimit të hershëm KJ-600.
Siç raporton "South China Morning Post", katapultat u mundësojnë avionëve të nisen më shpesh dhe me shpejtësi më të lartë nga distanca më të shkurtra, duke mbajtur ngarkesa më të rënda, ndryshe nga kuvertat tradicionale të tipit "ski-jump".
Me "Fujian"-in, Kina bëhet vendi i dytë në botë që operon një aeroplanmbajtëse me teknologji elektromagnetike, pas SHBA-së.
"Fujian", e paraqitur për herë të parë në qershor të vitit 2022, është anija më e madhe ndonjëherë e flotës kineze dhe aeroplanmbajtësja e tretë e vendit, pas "Liaoning" dhe "Shandong".
Provat e para detare të anijes filluan në maj të vitit 2024.
