Kina, Rusia, Irani dhe Pakistani kundërshtojnë rivendosjen e bazës ushtarake në Afganistan
Ky kundërshtim vjen pasi presidenti i SHBA-së, Donald Trump i kërkoi administratës së përkohshme talebane t'ia kthente Pentagonit bazën ajrore "Bagram"

Istanbul
Kina, Rusia, Irani dhe Pakistani kanë kundërshtuar çdo veprim për të rivendosur bazat ushtarake në Afganistanin e shkatërruar nga lufta, tha sot Ministria e Jashtme kineze, transmeton Anadolu.
Ky kundërshtim vjen pasi presidenti i SHBA-së, Donald Trump i kërkoi administratës së përkohshme talebane t'ia kthente Pentagonit bazën ajrore "Bagram".
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Guo Jiakun u tha gazetarëve në Pekin se ministrat e Jashtëm dhe përfaqësuesit e katër kombeve zhvilluan takim joformal mbi Afganistanin në margjinat e sesionit të 80-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në New York të enjten.
"Deklarata e përbashkët e takimit katërpalësh thekson respektin për sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin territorial të Afganistanit", tha Jiakun. "Deklarata përsëriti kundërshtimin e vendosur ndaj rivendosjes së bazave ushtarake në Afganistan dhe në rajon nga vendet përgjegjëse për situatën aktuale në vend", tha zëdhënësi.
Në takim morën pjesë ministri i Jashtëm rus Sergey Lavrov, ministri i Jashtëm iranian Seyed Abbas Araghchi, i dërguari kinez për Afganistanin, Yue Xiaoyong dhe Umer Siddique, një diplomat i lartë pakistanez, sipas një fotoje të takimit të ndarë nga Yue në kompaninë amerikane të mediave sociale X.
"Kjo tregon plotësisht respektin që vendet fqinje të Afganistanit kanë për sovranitetin, pavarësinë dhe dinjitetin kombëtar të tij", tha Jiakun.
Trump paralajmëroi se do të ndodhnin "gjëra të këqija" nëse administrata talebane nuk ia dorëzon Pentagonit kontrollin e bazës ajrore "Bagram".
Talebanët u rikthyen në pushtet në gusht 2021 pas tërheqjes së plotë të forcave të huaja të udhëhequra nga SHBA-ja nga Afganistani, pas një lufte prej dy-dekadashe.
Kabuli ka refuzuar të negociojë integritetin e tij territorial dhe i ka kërkuar Trumpit të angazhohet në marrëveshjen e Dohas të vitit 2020.