Joel Mokyr, Philippe Aghion dhe Peter Howitt fitojnë çmimin Nobel në Ekonomi
Akademia tha se ekonomistët u vlerësuan "për shpjegimin e rritjes ekonomike të nxitur nga inovacioni"

Stamboll
Çmimi Nobel në ekonomi për vitin 2025 iu dha sot shkencëtarëve Joel Mokyr, Philippe Aghion dhe Peter Howitt, njoftoi Akademia Mbretërore Suedeze e Shkencave, transmeton Anadolu.
Akademia tha se ekonomistët u vlerësuan "për shpjegimin e rritjes ekonomike të nxitur nga inovacioni", me gjysmën Mokyr "për identifikimin e parakushteve për rritje të qëndrueshme përmes progresit teknologjik", dhe gjysmën tjetër së bashku Aghion dhe Howitt "për teorinë e rritjes së qëndrueshme përmes shkatërrimit krijues".
Mokyr, profesor i ekonomisë dhe historisë në Universitetin Northwestern, hulumton historinë ekonomike të Evropës dhe u specializua në periudhën 1750-1914.
Aghion, profesor në "College de France" dhe në "London School of Economics", përqendrohet në ekonominë e rritjes. Howitt është profesor i ekonomisë në Universitetin Brown dhe pjesa më e madhe e hulumtimit të tij ka qenë në fushën e makroekonomisë dhe ekonomisë monetare.