Gjysmëhëna e Kuqe Turke shpërndan ushqime të ngrohta për nevojtarët në Gaza
Gjysmëhëna e Kuqe tha se çdo ditë në rajonet veriore dhe jugore të Gazës po përgatiten gjithsej 15.000 vakte të ngrohta dhe po shpërndahen për personat në nevojë.

Shkup
Ndërsa sulmet brutale dhe shkatërruese të Izraelit në Rripin e Gazës po vazhdojnë pandërprerë dhe kriza humanitare në rajon ka arritur kulmin për shkak të embargos së plotë, dega e Shoqatës së Gjysmëhënës së Kuqe Turke në Rripin e Gazës shpërndau ushqime të nxehta për palestinezët e zhvendosur në qendrat e akomodimit në Gazën perëndimore, raporton Anadolu.
Në një deklaratë të bërë nga shoqata, thuhet se çdo ditë në rajonet veriore dhe jugore të Gazës po përgatiten gjithsej 15.000 vakte të ngrohta dhe po shpërndahen për personat në nevojë.
Që nga 2 marsi, Izraeli i ka mbajtur të mbyllura kalimet e Gazës për ushqim, ndihmë mjekësore dhe humanitare, duke thelluar krizën humanitare në enklavë.
Më shumë se 52.600 palestinezë janë vrarë në Gaza në sulmet brutale izraelite që nga tetori i vitit 2023, shumica prej tyre gra dhe fëmijë.
Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhra arresti në nëntor për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e tij të Mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli gjithashtu përballet me një padi gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën e tij në enklavën palestineze.