Bota

Erdoğan takohet me nënpresidentin e EBA-së në Egjipt, diskutohen Gaza dhe marrëdhëniet dypalëshe

Udhëheqësit turq dhe ai emiratas diskutuan mbi zhvillimet rajonale dhe u zotuan të thellojnë bashkëpunimin në tregti, investime dhe mbrojtje.

Gizem Nisa Çebi Demir  | 13.10.2025 - Përdıtësım : 13.10.2025
Erdoğan takohet me nënpresidentin e EBA-së në Egjipt, diskutohen Gaza dhe marrëdhëniet dypalëshe

Stamboll

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan u takua me Sheikh Mansour bin Zayed Al Nahyan, zëvendëspresident dhe zëvendëskryeministër i Emirateve të Bashkuara Arabe, gjatë vizitës së tij në Sharm El Sheikh të Egjiptit për një samit ndërkombëtar mbi planin e paqes në Gaza, transmeton Anadolu.

Gjatë takimit, dy udhëheqësit diskutuan marrëdhëniet dypalëshe, si dhe zhvillimet rajonale dhe globale, sipas një deklarate zyrtare të Drejtorisë turke të Komunikimeve.

Presidenti Erdoğan theksoi se forcimi i lidhjeve politike midis Turqisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe ka kontribuuar ndjeshëm në bashkëpunimin në tregti dhe investime. Ai tha se të dyja palët po bëjnë përpjekje për të avancuar bashkëpunimin në fusha të tjera, veçanërisht në industrinë e mbrojtjes.

Duke iu referuar situatës në Gaza, Erdoğan tha se Turqia po punon për t'i dhënë fund gjenocidit dhe se ka filluar të hapet një dritare mundësie për paqe të qëndrueshme, një dritare që duhet të shfrytëzohet me kujdes.

Ai theksoi rëndësinë e zbatimit të plotë të marrëveshjes së armëpushimit, sigurimit të shpërndarjes së pandërprerë të ndihmës humanitare në Gaza dhe nisjes së menjëhershme të përpjekjeve të rindërtimit në rajon.

Lirimi i palestinezëve të burgosur në burgjet izraelite filloi sot pasi Hamasi liroi të 20 robërit izraelitë të gjallë që mbaheshin në Rripin e Gazës, si pjesë e marrëveshjes së arritur javën e kaluar për t'i dhënë fund luftës në enklavën palestineze.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.