Sport, basketball, archive

Finalja e Ligës Ballkanike në Basketboll: Sigal Prishtina e gatshme për betejën historike

Pavarësisht nga fakti se Sigal Prishtina e kishte mposhtur dy herë skuadrën bullgare Rilski nga Samokovi sivjet, Marjan Ilievski, trajneri i kaltër bardhëve prishtinas ishte shumë i kujdesshëm në deklarimet e tij.

20.04.2015 - Përdıtësım : 20.04.2015
Finalja e Ligës Ballkanike në Basketboll: Sigal Prishtina e gatshme për betejën historike

PRISHTINË  (AA) – Pavarësisht nga fakti se Sigal Prishtina e kishte mposhtur dy herë skuadrën bullgare Rilski nga Samokovi sivjet, Marjan Ilievski, trajneri i kaltër bardhëve prishtinas ishte shumë i kujdesshëm në deklarimet e tij në konferencën e sotme për shtyp, të mbajtur në Palestrën e Sporteve në Prishtinë, në prag të ndeshjes së parë finale të Ligës Ballkanike në basketboll.

Edhe pse Sigal Prishtina e kishte deklasuar ekipin nga Bullgaria, si vendës dhe mysafirë, me rezultat identik 94:71, trajneri i prishtinasve foli me kujdes dhe disa herë e theksoi faktin se “finalja zgjatë 80 minuta” dhe se ndeshja e nesërme në Prishtinë është vetëm pjesa e parë e finales së sivjetme të Eurohold BIBL, raporton Anadolu Agency (AA).

Ndërkohë, trajneri maqedonas i Prishtinës rrëfeu se vitin e kaluar kishte përcjell Final Fourin e BIBL i cili ishte mbajtur në kryeqytetin e Kosovës dhe kishte bërë tifozllëk për kaltër e bardhët mirëpo. Ndërkohë, gjërat kanë ndryshuar.

“Sot jam këtu dhe jam shumë krenar që jam pjesë e ekipit i cili është plasuar në finale. Ne do të bëjmë çdo gjë që është në mundësitë tona për të arritur rezultatin më të mirë për ekipin. Të lënduar nuk ka dhe basketbollistët janë të përgatitur maksimalisht” ka thënë Ilievski i ulur në mes të kapitenit Edmond Azemit dhe kryetarit të klubit , Blerand Stavilecit, së bashku edhe me drejtorin e klubit Florian Miftarin dhe prijësin e tifozëve prishtinas “Plisave”, Albert Kastratin, të cilët ishin bërë bashkë, në konferencën për shtyp, në prag të ndeshjes historike për basketbollin prishtinas dhe atë kosovar.

Kaltër e bardhët nga Prishtina janë ekipi i parë në histori të basketbollit kosovar që arrijnë në finale të ndonjë gare ndërkombëtare, në këtë rast të Ligës Ballkanike dhe atë pas vetëm dy sezoneve, pasi që FIBA Evropa i kishte lejuar skuadrave kosovare pjesëmarrjen në garat e kësaj lige rajonale.

Këtë e potencoi edhe kryetari i klubit, Blerand Stavileci i cili përveç tjerash, deklaroi se në përfundim të stinorit 2014/15, pasi që Federata e basketbollit e Kosovës tashmë është pranuar në FIBA dhe ka të drejtë të pjesëmarrjes në garat për klubet evropiane, kaltër e bardhët do të shqyrtojnë mundësinë se në cilën garë ndërkombëtare do të paraqiten edicionin e ardhshëm, duke përmendur dy mundësi, vazhdimin e garave në BIBL dhe pjesëmarrjen në FIBA EuroChallenge. 

Sidoqoftë, deri atëherë ka end epuni për t’u kryer dhe këtë e potencuar Edmond Azemi, kapiteni i skuadrës prishtinase i cili deklaroi se është i gatshëm dhe me këtë rast ka ftuar tifozët që ta stërmbushin palestrën në duelin e parë final kundër Rilskit.  

“Edo” i cili është ikonë e Sigal Prishtinës, ekipit më të trofeshëm në histori të basketbollit kosovar, në sirtarin e tij i ka të gjitha trofet e mundshme të garave vendore dhe i vetmi i cili i mungon është ky trofe internacional. Andaj, ai ka premtuar betejë të madhe sportive për titullin e kampionit të BIBL.

Albert Kastrati prijës i “Plisave”, tifozëve prishtinas, po ashtu ka premtuar një atmosferë të bukur dhe madhështore, si dhe një koreografi deri tash të paparë në palestrat kosovare.

Të rikujtojmë se në ndeshjen e parë të zhvilluar në Samokov të Bullgarisë, Sigal Prishtina si mysafire e kishte mposhtur Rilskin me rezultat 94:71, nën udhëheqjen e Dardan Berishës, lojtarit më efikas prishtinas dhe njëherësh koshashënuesit më efikas të Ligës Ballkanike sivjet, i cili kishte realizuar 34 pikë, 5 asistime dhe 4 kërcime.

Po ashtu, në këtë ndeshje u dallua edhe qendra boshnjake Edin Bavçiq i cili kishte realizuar double double fenomenal prej 15 pikëve dhe 14 kërcimeve.

Ndërkohë, me 3 mars në Prishtinë, kaltër e bardhët edhe pse luajtën pa lojtarin më të mirë, Dardan Berishën, shënuar fitore me rezultat identik si në Bullgari, 94:71, kurse më të merituarit për këtë triumf ishin plejmejkeri amerikan Jordan Hulls me 27 pikë të shënuara dhe qendra Edin Bavqiq i cili përsëriti edhe një double-double, kësaj radhe me kërcime të njëjta por pak më pak pikë, 10 pikë e 14 kërcime.

Pra, çdo gjë është e gatshme për ndeshjen e parë finale të Eurohold Ligës Ballkanike në basketboll, Sigal Prishtina – Rilski Sportist e cila fillon nga ora 18:30 me kohë qendrore evropiane.

Treshja e gjyqtarëve të cilët do të referojnë këtë duel janë , gjyqtari kryesor Marius Ciulin nga Rumania dhe dy ndihmësit e tij nga Mali i Zi, Zdravko Ruteshiq dhe Igor Dragojeviq

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın