Spiropali: Shqipëria është e gatshme të marrë përsipër përgjegjësitë si anëtare themeluese e Bordit të Paqes
Spiropali tha se në cilësinë e tij si anëtar i Bordit Ekzekutiv të Paqes, ministri Fidan nënvizoi rëndësinë e këtij mekanizmi të sapokrijuar, të iniciuar nga Presidenti amerikan, Donald Trump
Stamboll
Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali, ka deklaruar se Shqipëria është e gatshme të marrë përsipër përgjegjësitë e saj si anëtare themeluese e Bordit të Paqes, transmeton Anadolu.
Në një reagim në rrjetet sociale, ajo tha se Takimi i Dytë i Platformës së Paqes së Ballkanit në Stamboll kishte në fokus avancimin e bashkëpunimit rajonal në fushat e lidhshmërisë, zhvillimit ekonomik, sigurisë energjetike dhe integrimit evropian.
Takimi i Dytë i Platformës së Paqes së Ballkanit u mbajt sot në Stamboll, nën mikpritjen e kryediplomatit të Turqisë, Hakan Fidan.
Spiropali tha se në cilësinë e tij si anëtar i Bordit Ekzekutiv të Paqes, ministri Fidan nënvizoi rëndësinë e këtij mekanizmi të sapokrijuar, të iniciuar nga Presidenti amerikan, Donald Trump, "si një instrument i rëndësishëm për promovimin e paqes së qëndrueshme mes sfidave globale gjithnjë e më komplekse".
"Shqipëria është e gatshme të marrë përsipër përgjegjësitë e saj si anëtare themeluese e Bordit të Paqes, e bindur fuqimisht se bashkëpunimi i ngushtë me aleatët tanë strategjikë, veçanërisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës, do të ndihmojë në hapjen e një kapitulli të ri në avancimin e paqes ndërkombëtare dhe zgjidhjen e konflikteve", ka theksuar kryediplomatja e Shqipërisë.
Më 22 janar Kuvendi i Shqipërisë ka ratifikuar me procedurë të përshpejtuar marrëveshjen për pjesëmarrjen e Shqipërisë në Bordin e Paqes, pas ftesës së Presidentit të SHBA-së, Donald Trump.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
