Shqipëri, çështja ndaj ish-kryeministrit Berisha kalon për gjykim
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar e Shqipërisë (GJKKO) ka vendosur që çështja ndaj Berishës, i dyshuar sipas autoriteteve për korrupsion, të kalojë për gjykim.

Tiranë
Çështja ndaj ish-kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, i dyshuar sipas autoriteteve për korrupsion, ka kaluar në gjykim, transmeton Anadolu.
Në seancën e sotme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar e Shqipërisë (GJKKO) ka vendosur që çështja ndaj Berishës dhe dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezi, që akuzohet për korrupsion dhe pastrim parash, të kalojë për gjykim.
Në një njoftim për mediat, GJKKO-ja ka konfirmuar se ka vendosur pranimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) dhe dërgimin për gjykim të çështjes në fjalë.
Data për fillimin e gjyqit pritet të caktohet në ditët në vijim dhe në përfundim të gjykimit do të merret vendim në lidhje me akuzat ndaj Berishës dhe Malltezit.
Çështja ndaj ish-kryeministrit Berisha, i cili është edhe kryetari i partisë më të madhe të opozitës, Partisë Demokratike (PD), ka shkaktuar reagime dhe protesta në Shqipëri, sidomos nga partitë opozitare.
- Çështja ndaj ish-kryeministrit Berisha
Më 20 tetor 2023, GJKKO-ja i caktoi Berishës masën "detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore" dhe "ndalim i daljes jashtë shtetit". Sipas autoriteteve, Berisha është i dyshuar për korrupsion, ndërsa për dhëndrin e Berishës, Jamarbër Malltezi, ishte caktuar fillimisht masa "arrest me burg" dhe më pas "arrest në shtëpi", i cili dyshohet për korrupsion dhe pastrim parash.
Më 12 dhjetor 2023, SPAK-u i kërkoi Kuvendit të Shqipërisë dhënien e autorizimit për arrestimin/heqjen e lirisë ndaj ish-kryeministrit Berisha, kërkesë e cila u miratua nga Kuvendi më 21 dhjetor.
Në seancën e datës 30 dhjetor 2023, GJKKO-ja vendosi masën "arrest në shtëpi" ndaj ish-kryeministrit Berisha dhe më 25 janar 2024 apeli la në fuqi të njëjtën masë të sigurisë.
Më 27 nëntor 2024, GJKKO-ja vendosi heqjen e masës së sigurisë "arrest në shtëpi", ndërkohë, më 3 janar 2025, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJPAKKO) vendosi masën "detyrim për t'u paraqitur në policinë gjyqësore".
Objekt i hetimit të këtij procedimi penal, sipas autoriteteve, janë veprimet e kryera nga funksionarë të lartë shtetërorë dhe persona të tjerë për privatizimin e terreneve dhe objekteve sportive të "Klubit të Futbollit Partizani" dhe "Klubit Shumësportesh Partizani" në Tiranë.