Shqipëri, vendoset karantinë dyjavore për qytetarët nga Maqedonia e Veriut dhe Greqia
Komiteti Teknik i Ekspertëve në Shqipëri ka konfirmuar masën e re në lidhje me parandalimin e përhapjes së koronavirusit të ri (COVID-19), që përfshin karantinën për personat që hyjnë në Shqipëri nga Maqedonia e Veriut dhe Greqia

Tiranë
Autoritetet në Shqipëri kanë vendosur të zbatojnë karantinë dyjavore për shtetasit që hyjnë në vend nga Maqedonia e Veriut dhe Greqia, raporton Anadolu Agency (AA).
Komiteti Teknik i Ekspertëve në Shqipëri ka konfirmuar masën e re në lidhje me parandalimin e përhapjes së koronavirusit të ri (COVID-19), që përfshin karantinën për personat që hyjnë në Shqipëri nga dy shtetet fqinje, masë e cila do të fillojë të zbatohet që nga 20 prilli.
Drejtuesja e Komitetit Teknik të Ekspertëve, Mira Rakacolli, në konferencën online të publikuar në rrjetet sociale, tha se situata në Shqipëri paraqitet ndjeshëm drejt përmirësimit, por sipas saj, në rajon situata paraqitet ndryshe.
Rakacolli theksoi se ky përmirësim është si rezultat i masave të propozuara në kohën e duhur, sipas saj "masa të bazuara gjithmonë në analizën e shifrave dhe natyrisht nga një bashkëpunim më i mirë nga qytetarët". Ajo u shpreh se ka filluar të ndihet edhe efekti vaksinimit masiv.
"Ndryshe nga vendi ynë ku vihet re qëndrueshmëri në përmirësimin e shifrave, në fqinjët tanë, sidomos në Maqedoninë e Veriut dhe në Greqi numrat e rasteve janë shtuar. Janë shtuar numrat e rasteve të reja ditore, por njëkohësisht është shtuar edhe numri i jetëve të humbura. Duke pasur parasysh edhe situatën tonë lokale mendojmë që duke filluar nga dita e nesërme të vendoset qëndrimi në karantinë dyjavore për personat që vijnë nga Maqedonia e Veriut dhe Greqia deri më datë 3 maj të këtij viti", tha Rakacolli.
Në Shqipëri aktualisht janë në fuqi masat si kufizimi i lëvizjes së qytetarëve dhe aktivitetit të restoranteve nga ora 22:00 deri në 06:00 të mëngjesit, ndalimi i grumbullime masive dhe mësimi online në universitete.
Kujtojmë se në Shqipëri gjatë ditëve të fundit është regjistruar një trend në ulje i vdekjeve dhe rasteve të reja ditore me COVID-19. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka konfirmuar se që nga fillimi i pandemisë në Shqipëri janë regjistruar gjithsej 129.594 raste pozitive me COVID-19, mes tyre 2.342 persona kanë ndërruar jetë dhe 101.584 janë shëruar.