BALLKANI, Koronavirusi

Qindra raste të reja me COVID-19 në Shqipëri, vijojnë masat kufizuese

Komiteti Teknik i Ekspertëve ka vendosur që të vijojë kufizimi i lëvizjes së qytetarëve dhe kufizimi i aktiviteteve të bareve e restoranteve nga ora 22:00-06:00 dhe mësimi online në universitete deri në një urdhër të dytë

Fatjon Cuka   | 16.01.2021
Qindra raste të reja me COVID-19 në Shqipëri, vijojnë masat kufizuese

Tiranë

Në Shqipëri në 24 orët e fundit janë regjistruar 5 të vdekur dhe 581 raste të tjera pozitive me koronavirusin e ri (COVID-19), transmeton Anadolu Agency (AA).

Numri i përgjithshëm i rasteve me koronavirus në vend që nga fillimi i pandemisë është rritur në 67.216 dhe numri i të vdekurve në 1.270 , ka njoftuar Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Në orët e fundit janë shëruar 465 qytetarë, duke e çuar numrin e të shëruarve 40.090, ndërkohë në spitali vazhdon trajtimi i qindra pacientëve.

Institucionet shëndetësore në 24 orët e fundit kanë kryer 3.029 testime, ndërsa që nga fillimi i pandemisë janë kryer gjithsej 310.667 testime për personat e dyshuar me koronavirus.

“Procesi i vaksinimit po vijon normalisht"

Nga ana tjetër, Komiteti Teknik i Ekspertëve ka vendosur që të vijojë kufizimi i lëvizjes së qytetarëve dhe kufizimi i aktiviteteve të bareve e restoranteve nga ora 22:00-06:00 dhe mësimi online në universitete deri në një urdhër të dytë, ndërkohë do të vijojë edhe pezullimi i fluturimeve me Britaninë e Madhe deri më 1 shkurt.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, gjatë deklaratës për mediat ku konfirmoi vazhdimin e masave, u shpreh se deri tani Qeveria e Shqipërisë ka siguruar vaksinën për 800 mijë qytetarë.

“Procesi i vaksinimit po vijon normalisht. Deri tani janë vaksinuar 369 personel shëndetësor i spitaleve COVID e epidemiologë dhe do të vijohet me një kalendar të kombinuar më të moshuarit e shtëpive të përkujdesit social dhe më pas vaksinimi për të moshuarit mbi 75 vjeç dhe kështu me të gjitha grupet, siç janë përcaktuar në planin tonë të vaksinimit", tha Manasirliu.

Kujtojmë se Shqipëria filloi zyrtarisht më 11 janar fushatën e vaksinimit kundër COVID-19.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın