BALLKANI

Punonjësit e RTK-së protestojnë para Qeverisë së Kosovës pas mosekzekutimit të pagave

Dhjetëra punonjës u mblodhën para qeverisë dhe pranë Kuvendit të Kosovës me pankarta të cilat bartnin mesazhe të ndryshme si “Gazetar pa pagë - demokraci pa zë”, “RTK nuk hesht edhe në errësirë”, “Mos na fikni zërin publik” dhe të tjera

Agim Sulaj  | 06.08.2025 - Përdıtësım : 06.08.2025
Punonjësit e RTK-së protestojnë para Qeverisë së Kosovës pas mosekzekutimit të pagave Foto: Erkin Keçi/AA

Prishtinë

Punonjësit e Radio Televizionit të Kosovës (RTK) kanë protestuar para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës për shkak të mosalokimit të buxhetit për RTK-në dhe mosekzekutimit të pagave për 700 punonjësit e këtij mediumi shtetëror, raporton Anadolu.

Dhjetëra punonjës u mblodhën para qeverisë dhe pranë Kuvendit të Kosovës me pankarta të cilat bartnin mesazhe të ndryshme si “Gazetar pa pagë - demokraci pa zë”, “RTK nuk hesht edhe në errësirë”, “Mos na fikni zërin publik” dhe të tjera.

Moderatori i RTK-së, Gëzim Bimbashi, tha se RTK si i vetmi televizion publik në vend meriton trajtim institucional meritor.

“Sot jemi mbledhur këtu sepse data 5 gusht ka kaluar dhe punëtorët e RTK-së ende nuk i kanë marrë pagat e tyre. Buxheti i RTK-së nuk është alokuar, çfarë përbën shkelje të drejtpërdrejtë të Ligjit të Punës dhe goditje ndaj dinjitetit të qindra punëtorëve të këtij institucioni”, theksoi Bimbashi.

Bimbashi tha se kërkojnë që për vitin 2026 të ketë rritje të buxhetit të RTK-së dhe rritje të pagave të punonjësve të RTK-së.

Kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), Xhemajl Rexha, i cili mori pjesë në protestë në përkrahje të punëtorëve të RTK-së, tha se AGK-ja qëndron në mbështetje të fuqishme dhe të plotë me punonjësit e RTK-së.

"AGK-ja beson se kjo krizë ka qenë e shmangshme dhe fatkeqësisht ka mbetur vetëm pjesë e vullnetit politik që buxheti të ndahet. Kemi precendentë në të kaluarën dhe thirrja e AGK-së është ekskluzivisht për Qeverinë e Kosovës që e ka në dorë që ta alokojë buxhetin për RTK-në për gjashtë muajt e ardhshëm”, theksoi Rexha.

Punonjësit e RTK-së rrezikojnë të mbesin pa paga për muajin korrik, ndërsa edhe vetë funksionimi i transmetuesit publik është në rrezik për shkak të moskonstituimit të Kuvendit të Kosovës dhe mungesës së themelimit të Komisionit Parlamentar për Buxhet.

Protestuesit nuk përjashtuan që të hynë në grevë dhe të bojkotojnë ndjekjen e ngjarjeve politike, ndërsa protesta mund të zhvendoset edhe para ambienteve të RTK-së.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın