PRISHTINË (AA) - Delegacioni i Kosovës për Dialog me Serbinë, gjatë zhvillimit të rrethit të radhës të bisedimeve në Bruksel, duke biseduar për temat e lëvizjes së lirë, njohjes së diplomave, funksionimit të Zyrave Ndërlidhëse dhe dokumenteve kadastrale, ka kërkuar që Bashkimi Evropian të bëjë trysni në Serbinë që të ndërpresë obstruksionin dhe vonimin e zbatimit të plotë të Marrëveshjeve të arritura deri tash.
Ministrja për Dialog, Edita Tahiri e cila po udhëheq delegacionin kosovar, gjatë bisedave që i kishte me Shërbimin për Punë të Jashtme të BE-së, ka tërhequr vërejtjen në obstruksionin e lëvizjes së lirë që po e bënë Serbia karshi Kosovës, në kuadër të zbatimit të reciprocitetit në çështjen e tabelave të regjistrimit të automjeteve.
Ministrja Tahiri ka njoftuar zyrtarët e Bashkimit Evropian se, Kosova do ta shfrytëzojë të drejtën e cila buron nga “Marrëveshja e Lëvizjes së Lirë”, për të zbatuar reciprocitetin e plotë në çështjen e tabelave “Prova” dhe nëse Serbia nuk i heq ato tabelat që po i aplikon për automjetet e Kosovës me tabelat ‘’RKS’’ atëherë, Kosova do të fillojë të aplikojë masa të njëjta dhe tabela “Prova” për automjetet e Serbisë. Me këtë rast, delegacioni i Kosovës njoftoi se do të aplikojë edhe masa tjera, siç janë pagesat administrative për këto tabela si dhe dokumentin hyrje – dalje për qytetarët e Serbisë, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit të Kosovës .
“Kosova nuk ka aplikuar këto masa duke pasur prirje që të realizojë një lëvizje vërtet të lirë sipas standardeve evropiane, mirëpo, meqenëse Serbia me masat e saja ka vështirësuar dhe frustruar procesin e lëvizjes së lirë, atëherë Kosovës nuk i mbetet zgjidhje tjetër pos që të zbatojë reciprocitetin” i kishte thënë ministrja Tahiri ndërmjetësit të BE-së, Alexis Hupin.
Nga ana e tij, Hupin kishte propozuar që kjo temë të diskutohet edhe në takimin e radhës në përpjekje që, palët të gjejnë një zgjidhje në interes të qytetarëve, për të përmirësuar lëvizjen e lirë dhe jo për ta penguar atë. Megjithatë, pala kosovare insistoi se Serbia është ajo që po bënë pengesa dhe se Kosova është e vendosur se, çfarëdo që të jetë zgjidhja, ajo do të jetë reciproke.
Në takimin e grupit punues për zbatimin e marrëveshjes për kadastër, BE-ja ka pasur vërejtje në vonesat në zbatimin e kësaj marrëveshjeje nga ana e Kosovës, e cila ka prolonguar miratimin e projektligjit për Agjencinë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës nga ana e Kuvendit të Kosovës. Për këtë vonesë, pala kosovare ka fajësuar Serbinë e cila po e kryen me ritëm shumë të ngadaltë procesin e skanimit të dokumentacionit kadastral. Megjithatë, BE-ja ka insistuar se është në interes të qytetarëve të Kosovës dhe çështjes së pronave të tyre që Kuvendi i Kosovës sa më shpejt ta miratoj këtë ligj i cili hap rrugën e kthimit të dokumentacionit kadastral, ndërsa nga Serbia është kërkuar të përshpejtojë procesin e skanimit të dokumenteve.
Në kuadër të takimit për Zyrat Ndërlidhëse, delegacioni i Kosovës kërkoi avancim të zbatimit të saj sidomos në aspektin e gjetjes së një zgjidhje të pranueshme nga të dy palët për logot dhe vulat e të dy zyrave, çështjen e shtimit të hapësirave, stafit dhe avancimin e komunikimit në mes të zyrtarëve ndërlidhës dhe qeverive përkatëse.
Pala kosovare kritikoi sjelljet e Serbisë për mos pranimin e deritashëm të Zyrtarit Ndërlidhës të Republikës së Kosovës nga nivele ministrore në Serbi, duke dhënë si shembull sjelljet e veta, pasi që Zyrtari Ndërlidhës i Serbisë në Kosovë tashmë ka zhvilluar disa takime me disa ministra të Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Si rezultat i kësaj bisede, palët u dakorduan që Zyrtari Ndërlidhës i Republikës së Kosovës të pritet zyrtarisht gjatë muajit tetor nga ministri i Arsimit të Serbisë, Sërxhan Verbiq, ku ndwr tjera, do të bisedohet edhe për çështjen e librave që Qeveria e Kosovës po i dhuron për nxënësit e Luginës së Preshevës.
Në fund, u arrit pajtimi që të intensifikohen angazhimet që, kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ta pres zyrtarisht në takim zyrtarin ndërlidhës të Serbisë në Kosovë dhe kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ta pres zyrtarin ndërlidhës të Republikës së Kosovës në Serbi.
news_share_descriptionsubscription_contact
