Agon Fehmiu
30 shtator 2015•Përditësim: 30 shtator 2015
PRISHTINË (AA) – Gjatë raundit të ri të dialogut në Bruksel, Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për njohjen reciproke të Diplomave, të gjitha niveleve të arsimit. Sipas marrëveshjes, Kosova dhe Serbia do t’i njohin diplomat e gjitha niveleve universitare, Bachellor, Master dhe Doktoratë, pastaj diplomat e shkollave të mesme dhe ato të arsimit profesional, si dhe nivelin e pestë të kualifikimeve, sipas kornizës evropiane të kualifikimeve.
Procesi i certifikimit të diplomave do të bëhet përmes certifikimit nga Asociacioni i Universiteteve Evropiane (AUE) dhe pastaj, ato diploma do të njihen nga të dyja shtetet, për çështje dhe qëllime të tregut të punës apo për studime të mëtejme, varësisht nga nevoja dhe interesimi i aplikantëve, , thuhet në njoftimin e zyrës së kryeministrit.
Kështu, me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje, merr fund mospranimi i Serbisë i 400 diplomave universitare të Kosovës të certifikuara nga AUE. Të gjitha këto diploma, Serbia obligohet t’i pranoj brenda pesë muajve të ardhshëm.
Marrëveshja për njohjen reciproke të diplomave përcakton edhe mekanizmin mbikëqyrës të procesit të zbatimit të kësaj Marrëveshjeje, që përbëhet nga tri palë, Kosova, BE dhe Serbia. Ky mekanizëm ka për obligim të raportoj, vlerësoj dhe përmirësoj, sipas nevojës, procesin e zbatimit të marrëveshjes.
Marrëveshja për njohjen reciproke të diplomave ndërmjet të Kosovës dhe Serbisë, në veçanti, do të ndihmoj popullatën shqiptare të Luginës së Preshevës që, kryesisht, studimet i kryen në institucionet e arsimit në Republikën e Kosovës dhe pastaj kthehen të shërbejnë në vendlindje, për ta ndihmuar zhvillimin e komunitetit shqiptarë në Luginë dhe shoqërinë në përgjithësi.
Qeveria e Kosovës gjithmonë ka qenë e shqetësuar dhe në vazhdimësi i ka raportuar për pengesat e vëna, nga ana e Serbisë, popullatës shqiptare në Luginën e Preshevës në këtë aspekt.
Po ashtu në takimin për diplomat ministrat Tahiri dhe Bajrami, shtruan çështjen e shpërndarjes së teksteve shkollore për Luginën e Preshevës dhe kërkuan ndihmën e BE-së që dërgesa e Ministrisë së Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë të zhbllokohet dhe të dërgohet tek studentët. Pala serbe mori obligim që brenda dy ditësh të jap përgjigje për këtë çështje kurse, delegacioni i Kosovës konfirmoi zbatimin e reciprocitetit për këtë çështje.