PRISHTINË (AA) - Opozita e bashkuar kosovare, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nisma për Kosovën (NISMA), prej sot kanë filluar aksionin e mbledhjes së nënshkrimeve të qytetarëve për peticionin kundër marrëveshjeve të 25 gushtit ndërmjet qeverive të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, ndër tjera edhe për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë apo “Zajednicës”, siç e quan Vetëvendosja, si dhe kundër marrëveshjes së nënshkruar me Malin e Zi për Demarkacionin e Kufijve, raporton Anadolu Agency (AA).
Ndër nënshkruesit e parë të peticionit ishte Shefqete Gosalci nga Prishtina. Ajo për AA tha se , Qeveria nuk ka të drejtë të nënshkruajë marrëveshje, duke i mos dhënë llogari popullit.“Ata nuk kanë të drejtë të nënshkruajnë dhe të mos japin llogari popullit, të enklavizojnë Kosovën dhe përmes Zajednicës ta ‘bosnjizojnë’ Kosovën” tha Gosalci.
Saktësisht në ora 11:00, kryetarët e tri partive opozitare, Visar Ymeri i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Ramush Haradinaj (AAK) dhe Fatmir Limaj (NISMA), janë takuar në qendër të qytetit për të nënshkruar peticionin, tek tenda e vendosur afër Ministrisë së Kulturës.
Me këtë rast, Ymeri, Haradinaj dhe Limaj kanë ftuar të gjithë qytetarët e Kosovës, pavarësisht nga bindjet politike, të mbështesin këtë peticion kundër marrëveshjeve të cilat ata i konsiderojnë të dëmshme për shtetin e Kosovës
Pas nënshkrimit të peticionit, kryetari i Vetëvendosjes, Visar Ymeri u prononcua për media duke thënë se peticioni është formë shumë e rëndësishme e kundërshtimit të qytetarëve dhe dërgimi i sinjalit se qytetarët nuk pajtohen me punën e Qeverisë së Kosovës e cila po e rrënon shtetin
“Ky peticion është shumë i rëndësishëm edhe për mobilizimin dhe konkretizimin e kundërshtimit të qytetarëve dhe nga ana tjetër, në dërgimin e sinjalit për papranueshmërinë e këtyre marrëveshjeve të nënshkruara nga Qeveria e Republikës së Kosovës, në emër të Republikës së Kosovës. Pra, kjo Qeveri e cila ka nënshkruar marrëveshjet të cilat janë të papranueshme për Republikën, ndërsa burim i sovranitetit dhe ekzistencës së Republikës janë qytetarët, nuk mund të jetë Qeveria e këtij vendi” tha Ymeri.
Ramush Haradinaj, kryetari i AAK-së, deklaroi se peticioni është kundër marrëveshjeve të cilat e bankrotojnë Kosovën.
“Nuk janë këto marrëveshje vetëm politikisht të dëmshme, në kuptimin e pozicionimit politik të Kosovës në rajon, nuk janë vetëm marrëveshje të cilat janë të dëmshme për rendin dhe ligjin por, janë të dëmshme edhe ekonomikisht dhe financiarisht, rezultatet e të cilave janë varfërimi i mëtejmë i Kosovës. Ftoi të gjithë qytetarët e vendit që ta përkrahin peticionin dhe ta shprehin lirshëm mendimin e tyre” ka theksuar Haradinaj.
Fatmir Limaj, lideri NISMA-së, ka vlerësuar se peticioni është instrument demokratik që përdoret kur Qeveria vepron në kundërshtim me interesat e qytetarëve.
“Në pamundësi të mënyrës tjetër të shprehjes së qytetarëve, peticioni do t’iu dërgojë porosinë e qartë atyre që e kanë nënshkruar dhe kanë arritur marrëveshje në emër të qytetarëve të Kosovës, pa i pyetur dhe pa miratimin e tyre” ka thënë Limaj.
Liderët e LVV-së, AAK-së dhe Nismës ftuan Qeverinë që të ndal cenimin e sovranitetit, integritetit territorial dhe de-funksionalizimin e tij, që po ia bëjnë përmes marrëveshjeve me Serbinë dhe me atë për demarkacionin kufitar me Malin e Zi.
Peticioni kundër marrëveshjeve të 25 gushtit ndërmjet qeverive të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe kundër marrëveshjes për Demarkacionin e Kufijve me Malin e Zi, do të organizohet në tërë Kosovën dhe do të zgjasë disa ditë ndërsa, në Prishtinë, qytetarët tashmë kanë filluar nënshkrimin e këtij peticioni.
news_share_descriptionsubscription_contact
