PRISHTINË (AA) - Në Qendrën e Panaireve në fshatin Shkabaj, afër Prishtinës, sot është hapur Panairi Ndërkombëtar i Produkteve Bujqësore, Agroindustriale dhe Tregtisë Inverse “Prishtina 2015”, në të cilin mallrat dhe produktet e tyre do t’i ekspozojnë 120 prodhues nga Kosova, rajoni dhe Bashkimi Evropian, raporton Anadolu Agency (AA).
Në hapjen e këtij panairi, të organizuar nga Oda Ekonomike e Kosovës, Qeveria e Kosovës dhe me mbështetje të fondacionit të pavarur ndërkombëtarë PPSE – Sëisscontact, prezent ishin ministrat e Bujqësisë të Kosovës dhe Shqipërisë, Memli Krasniqi dhe Edmond Panariti, ministrja e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës, Hykmete Bajrami, kryetarët e Odave Ekonomike të Kosovës dhe Serbisë, Safet Gërxhaliu dhe Marko Çadezh, si dhe përfaqësuesit e USAID-it dhe përfaqësive të tjera diplomatike në Kosovë.
Safet Gërxhaliu, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, në fjalimin e tij përshëndetës ka theksuar se specifika e këtij panairi është prezenca e miqve nga mbarë rajoni dhe multidimensionaliteti i tij.
“Ky panair nuk duhet të analizohet vetëm nga dimensioni ekonomik, sa ka ekonomi ka edhe strategjia, sa ka strategji ka zhvillim, qëndrueshmëri dhe integrim. Kjo është një pasqyrë që, me kalimin e kohës, rajoni i cili është cilësuar si rajon i krizës, po shndërrohet në rajon të paqes dhe zhvillimit. Këtë e dëshmon më së miri fakti se sot këtu eksponojnë ndërmarrjet nga Shqipëria, Serbia, Austria, Maqedonia, Gjermania dhe shumë vende të tjera evropiane” tha Gerxhaliu.
Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural të Kosovës, Memli Krasniqi u shpreh shumë i lumtur që sivjet, në këtë Panair të Agroprodukteve, numri i prodhuesve kosovar është më i madhi ndonjëherë por, se ka edhe shumë kompani nga rajoni dhe Evropa. Ai u shpreh se, rritja ekonomike pozitive e Kosovës, në gjithë këto vite, në masë të madhe është influencuar drejtpërdrejtë nga zhvillimi i Bujqësisë prandaj, Qeveria e Kosovës ka vendosur që Bujqësinë ta vendos si një ndër prioritetet kryesore, duke e shumëfishuar edhe buxhetin mbështetës për fermerët dhe agrobizneset kosovare.
“Ne kemi arritur që, përmes mbështetjes së fermerëve të arrijmë një rritje të prodhimeve vendore për 26%, në dy vitet e kaluara, gjë që ka ndihmuar drejtpërdrejtë te përmirësimi i bilancit tregtarë duke zëvendësuar importet e caktuara të prodhimeve bujqësore por edhe duke ngritur eksportet e këtyre prodhimeve në rajon dhe më gjerë. Pa dyshim që, në kuptimin e fazave të ardhshme të zhvillimit, ne duhet të mendojmë me një logjikë rajonale, përtej një logjike të mbyllur, vetëm vendore” tha ministri Krasniqi.
Ndërsa, homologu i tij nga Shqipëria, ministri i Bujqësisë Edmond Panariti, fillimisht tha se, ky panair e ka tejkaluar pritshmërinë e të qenit vetëm panair i Bujqësisë së Kosovës dhe është shndërrua në panair të Bujqësisë me përmasa rajonale dhe më gjerë.
Ai këtë e sheh si rezultat të marrëveshjeve që Kosova dhe Shqipëria i kanë nënshkruara rishtazi dhe me të cilat, garantohet lëvizja e lirë e prodhimeve bujqësore të dyja vendeve, në mënyrë reciproke, në tregjet e të dyja shteteve, si dhe në gjithë rajonin.
Duke theksuar faktin se, ai dhe ministri Memli Krasniqi sot kanë avancuar integrimin e dy tregjeve, të Shqipërisë dhe Kosovës, duke nënshkruar certifikatën veterinare me anë të së cilës Kosova do të bëjë eksportin e vezëve në Shqipëri dhe se, shumë shpejt, këtë do ta vazhdojnë edhe me lëvizjen e lirë dhe eksportimin e miellit, ministri Panariti theksoi që, nuk do të ketë barriera ndërmjet të dy vendeve sepse, Shqipëria dhe Kosova nuk janë konkurrente e njëra tjetrës por janë komplementare
“Jam i kënaqur që po e shoh shtimin e vazhdueshëm të produkteve bujqësore dhe blegtorale të Kosovës, në tregjet e Shqipërisë. Për këtë kemi vendosur që të unifikojmë praktikat, certifikatat, metodologjitë, në mënyrë që barrierat tregtare dhe ato fito-sanitare të hapen dhe të kemi një set të standardeve të përbashkëta. Madje këtë frymë që ne, tashmë po e masivizojmë me Kosovën do ta kërkojmë ta zhvillojmë edhe me vendet tjera të rajonit” tha Panariti. Ai shtoi se, është shumë i kënaqur që Kosova pret krahëhapur prodhimet shqiptare, madje duke iu dhënë një status ekskluziv agrumeve shqiptare (mandarinave, limonëve dhe portokajve), në tregjet e Kosovës.
Pjesëmarrës të këtij panairi janë edhe 21 kompani nga Serbia të cilat, për herë të parë, kanë ardhur të organizuara dhe së bashku, në kuadër të delegacionit të Odës Ekonomike të Serbisë.
Milan Saviq, përfaqësues i ndërmarrjes “Zlatiborac” nga Serbia, konsideron se pjesëmarrja në këtë Panair është një rast i mirë që prodhimet e firmës së tij t’i ofrohen konsumatorëve kosovarë dhe njëherësh, për të gjetur një distributor të mirë i cili do t’iu bëhet partner për tregun e Kosovës.
“Zlatiborac është brend i njohur në tregun e Serbisë dhe në tregjet rajonale. Ne prodhojmë dhe distribuojmë prodhimet e mishit në Maqedoni, Mal të Zi dhe Bosnje. Ne kemi Certifikatën Hallall, e cila është një nga parakushtet që prodhimet tona të plasohen në tërë territorin e Kosovës, prandaj edhe jemi të njohur në gjitha tregjet dhe këtë po e shohim si rast të mirë që të jemi prezent edhe këtu” tha Saviq.
Panairi i Produkteve Bujqësore, Agroindustriale dhe Tregtisë Inverse “Prishtina 2015” do të jetë i hapur deri më 2 tetor, ndërsa një nga risitë në kuadër të këtij panairi do të jetë edhe “Panairi Invers i Tregtisë” që është një koncept i ri në Kosovë, i fokusuar në krijimin e lidhjeve të biznesit në mes të ndërmarrjeve të mëdha, të mesme dhe të vogla ku ndërmarrjet private, veçanërisht ndërmarrjet e mëdha, prezantojnë kërkesat e tyre rreth blerjes së mallrave dhe shërbimeve që ata duan të blejnë nga ndërmarrjet e vogla dhe të mesme lokale.
news_share_descriptionsubscription_contact
