BEOGRAD (AA) – Duke folur në konferencën e rregullt mujore për mediat, zëvendëskryeministri i parë i qeverisë së Serbisë dhe ministër i Punëve të Jashtme, Ivica Daçiç si aktivitete të rëndësishme për muajin tetor theksoi “luftën mbi vendimin që Kosova të bëhet anëtare e UNESCO-s” dhe konferencën e rrugës së refugjatëve nga Mesdheu Lindor dhe Ballkani Perëndimor që vijnë nga Lindja e Afërt, në të cilën tema kryesore do të jetë menaxhimi me krizën e emigrimit dhe pranimi i refugjatëve”, raporton Anadolu Agency (AA).
Ai sqaroi se për temën e anëtarësimit të Kosovës në UNESCO, nëse vendoset në rend dite, siç është paralajmëruar të jetë më 21 tetor, Serbia do ta kundërshtojë deri në fund dhe do të investojë të gjitha mjetet diplomatike për të parandaluar marrjen e vendimit që Kosova të bëhet anëtare e UNESCO-s.
Ai theksoi se metodologjia e vendimmarrjes në UNESCO është më e ndryshme se në OKB, se nuk ka bllokim të vendimit, që në këshillin ekzekutiv, të cilin e përbëjnë 58 vende, merret me shumicë votash, duke mos llogaritur ata që janë të përmbajtur apo që nuk kanë votuar, e që janë 32 anëtare të cilat e kanë pranuar pavarësinë e Kosovës, ndërsa 26 nuk e kanë pranuar, tha Daçiç.
“Qëndrimi jonë për këtë çështje është se nuk duhet biseduar derisa për të nuk bisedohet në dialogun në Bruksel, duke marrë parasysh faktin që në fillim të vet dialogut e dakorduam si një nga temat. Konsiderojmë se është e dëmshme për rrjedhën e mëtejshme të dialogut Beograd-Prishtinë që për këtë temë të vendoset në bazë të lëvizjeve të njëanshme të Prishtinës dhe në bazë të mbivotimit në një agjenci të tillë të specializuar të OKB-së, siç është UNESCO”.
Ai përkujtoi se nga viti 2000 në Kosovë janë shkatërruar 200 kisha, manastire dhe objekte tjera të kultit, se janë rrënuar me dinamit, djegur, madje edhe varreza janë shkatërruar, ku mbi tetë mijë gur varrezash janë shkatërruar, ndërsa katër kisha ortodokse të cilat janë shpallur si trashëgimi kulturore botërore janë në rrezik.
Ai ndër të tjera shtoi se: “Nga kush janë në rrezik, pikërisht nga ata që sot duan të bëhen anëtare të UNESCO-s. Ky do të ishte një vendim vetëshkatërrues për UNESCO-n, kjo i bie sikur tani dikush të mendoj për atë që DAESH të bëhet anëtare e UNESCO-s, e cila shkatërron të gjitha ato monumente nëpër botë”.
Duke folur për konferencën e caktuar në Luksemburg, në të cilën anëtaret e BE-së, shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe Turqia, do të debatojnë për temën e menaxhimit të emigrimit dhe pranimin e refugjatëve nga Lindja e Afërt, Daçiçi tha se: “Kriza e refugjatëve është tema numër një në Evropë dhe botë, por nuk janë prekur të gjitha vendet me këtë krizë dhe nuk janë të gjithë të interesuar që kjo çështje të zgjidhet. Prandaj pas shumë muajve është caktuar kjo konferencë në Luksemburg me dëshirën që të gjendet një mënyrë se si të menaxhohet kjo krizë”.
Ai tha se Serbia deri tani ka dëshmuar trajtim ndaj refugjatëve dhe problemeve të tyre, se shumë anëtare të BE-së dhe përkujtoi se gjenden në sanduiç mes dy anëve të BE-së, njëra anë e cila lëshon refugjatët dhe ana tjetër e cila vendos gardhe dhe mbyll kufijt.
“BE duhet të na përgjigjet në pyetjen se si të sillemi, çka është përgjigjja evropiane, a duhet edhe ne të mbrojmë kufijtë dhe të vendosim gardhe apo edhe më tej të sillemi në këtë mënyrë që është evropiane. Ky problem nuk do të zgjidhet dhe nuk do të zhduket. Siç e shihni, shifrat të cilat paralajmërohen nga ata që vijnë në Preshevë, po jo vetëm nga Maqedonia, por edhe nga Bullgaria, edhe më tej janë të konsiderueshme. Bëhet fjalë për disa mijëra njerëz”, tha Daçiç dhe shtoi se është e domosdoshme ndihma financiare, porse më me rëndësi është gjetja e mënyrës në të cilën në mënyrë strategjike do të përballen me këtë problem.
news_share_descriptionsubscription_contact


