Agon Fehmiu
12 tetor 2015•Përditësim: 13 tetor 2015
PRISHTINË (AA) – Sot në Paris është bërë një hap i madh drejtë pranimit të Kosovës në UNESCO, ka konfirmuar për Anadolu Agency, Ardian Arifaj këshilltari politik i zëvendëskryeministrit të parë, njëherësh ministrit të Jashtëm të Kosovës, Hashim Thaçit, raporton Anadolu Agency.
Në takimin e sotëm të Këshillit Ekzekutiv të UNESCO-s, është vendosur që në rend të ditës të përfshihet propozimi me rekomandim për pranimin e Kosovës si anëtare e Organizatës për Edukim, Shkencë dhe Kulturë të Kombeve të Bashkuara.
Bazuar në lajmin të cilin nga Parisi e ka dhënë, zëvendësministri i Punëve të Jahstme të Kosovës, Petrit Selimi, të transmetuar nga Arifaj për AA, pas miratimit të rendit të ditës ka pasur mospajtime rreth vendimit që pranimi i Kosovës në UNESCO të përfshihet në rend të ditës. Kundërshtimin e vet e kishin shfaqur përfaqësuesit e Rusisë, Kinës, Kubës dhe Argjentinës.
Për propozimin rreth pranimit të Kosovës në UNESCO, pritet të votohet para përfundimit të mbledhjes së Këshillit Ekzekutiv, deri më 22 tetor, ku vendimi merret me shumicë votash.
Ndërkohë, vendimi përfundimtar për pranimin e Kosovës anëtare të UNESCO-s merret në Asamblenë e Përgjithshme të UNESCO-s e cila do të fillojë në javën e parë të nëntorit dhe do të zgjasë dy javë.
Asambleja e Përgjithshme përbëhet nga 195 anëtare me të drejta të plota dhe 6 anëtare të cila e kanë statusin e anëtareve të asocuara. Për pranim duhen dy të tretat e shumicës së anëtareve apo 130 vota.
Bëhet e ditur se , kërkesën për pranimin e Kosovës në UNESCO formalisht e ka bërë Shqipëria ndërsa e kanë përkrahur 45 shtetet, duke filluar nga Shtetet e Bahskuara të Amerikës, Gjermania, Britania e Madhe, Franca dhe Italia, Turqia, Sllovenia, Austria, Luksemburgu, Danimarka, Finlanda, Irlanda, Holanda, Suedia, si dhe shtetet Baltike si, Estonia, Letonia e Lituania. Mbështetjen për Kosovën në UNESCO e kanë dhënë edhe Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabia Saudite, Katari, Kuvajti, Bahreini, Belizi, Burkino Faso, Çadi, Kostarika, Bregu i Fildisht, Republika Domenikane, Salvadori, Gaboni, Gambia, Gana, Grenada, Guineja, Haiti, Hiondurasi, Jordania, Lesoto, Omani, Panama, Papua Guineja e Re, Senegali, Somalia, Sudani Jugor, Togo, Tanzania dhe Vanuatu.