Presidentja Osmani priti në takim Përfaqësuesin e Posaçëm të BE-së, Peter Sorensen
Presidentja trajtoi edhe çështjen e arrestimeve arbitrare të qytetarëve të Kosovës nga ana e Serbisë duke kërkuar angazhim të bashkësisë ndërkombëtare në mënyrë që Serbia t'i ndalë këto veprime të paligjshme ndaj qytetarëve të Kosovës

Prishtinë
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian (BE) për Dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, raporton Anadolu.
Siç njofton Zyra e Presidentes, në takim, Osmani theksoi nevojën e avancimit të procesit të integrimit evropian të Kosovës, si dhe theksoi rëndësinë e largimit të masave të padrejta të BE-së, të cilat po prekin më së shumti qytetarët e Republikës së Kosovës.
Në kuadër të diskutimit, u trajtua edhe procesi i konstituimit të Kuvendit dhe institucioneve të tjera, si dhe rëndësia që këto institucione të funksionojnë në mënyrë demokratike për të avancuar objektivat e përbashkëta.
Presidentja trajtoi edhe çështjen e arrestimeve arbitrare të qytetarëve të Kosovës nga ana e Serbisë duke kërkuar angazhim të bashkësisë ndërkombëtare në mënyrë që Serbia t'i ndalë këto veprime të paligjshme ndaj qytetarëve të Kosovës.
Tutje, presidentja kosovare nënvizoi rëndësinë e integrimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, me theks të veçantë në Këshillin e Evropës, si dhe në organizata të tjera të rëndësishme.
Lidhur me Dialogun Kosovë-Serbi, presidentja Osmani theksoi rëndësinë e një procesi të drejtë e të paanshëm, duke përcaktuar objektiva të qarta, gjë që do të kontribuonte po ashtu në avancimin e paqes, stabilitetit dhe perspektivës evropiane të rajonit në tërësi.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.